Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi sot se nga tetori kartat e identitetit që skadojnë këtë vit nuk do të mund të përdoren më. Lleshaj inkurajoi qytetarët që të nxitojnë për të rinovuar mjetet e identifikimit, në mënyrë që të mos befasohen nesër.
“Kartat e identitetit dhe pasaportat janë në prag të skadimit për shumë qytetarë. Nga fillimi i tetorit ato që skadojnë këtë vit nuk do të mund të përdoren më, nëse nuk shoqërohen me dokumentin e aplikimit”, theksoi ministri Lleshaj.
“Të gjithë duhet të nxitojnë sot, që të mos befasohen nesër, kur të ndalohen për të udhëtuar jashtë vendit, apo kur të mos mund të marrin një shërbim tjetër brenda tij”, theksoi Lleshaj./atsh