Loading...

Shahini: Nuk ka rritje tarifash për studentët

Përgjysmimi i tarifave dhe dhënia e bursave do të vazhdojë edhe vitin tjetër akademik 2019-2020 po në të njëjtën formë që është proceduar në gjysmën e parë të këtij viti falë mbështetjes financiare nga qeveria në kuadër të Paktit për Universitetin.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një prononcim për gazetarët duke theksuar se në shtator të tjerë kategori studentësh do të shtohen në listën e përfituesve, pasi kanë pasur probleme me plotësimin e dokumenteve.

“Nuk ka rritje tarifash. Tarifat që botohen nga Universiteti, janë tarifat e vendosura për t’u paguar nga një student. Ne atë tarifë do ta përgjysmojmë. E subvencionojmë direkt nga buxheti i shtetit”, tha ministrja, duke shtuar se “janë disa grupe interesi që kanë ngritur shqetësime se nuk janë përfshirë ose që përfshirja e tyre është vështirësuar ngaqë duhen më shumë dokumente. Dhe ne i kemi marrë parasysh, po bëjmë llogaritjet e nevojshme dhe do i përfshijmë në shtator.”

Gjithashtu, Shahini deklaroi se sa i përket bursave ato do të vijojnë të akordohen si për ekselentët ashtu edhe për studentët me nevoja të veçanta në vlerën 10 mije lekë në muaj.

“Bursa do marrin studentët ekselentë me notën mesatare 9-10 si edhe të gjithë studentët në nevojë. Bursa është 10 mijë lekë të reja. Në pjesën e parë të vitit kemi pasur problem me studentët që nuk kanë pasur një llogari bankare. Ne i ftojmë studentët që të angazhohen këtë vit, ti kenë llogaritë bankare në kohë”, tha ministrja./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com