Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha sot dorëheqjen e parevokueshme nga detyra. Haradinaj mblodhi sot anëtarët e kabinetit qeveritar dhe paraqiti dorëheqjen e tij, me arsyen se sipas tij, ka marrë thirrje nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.
“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua t’iu falënderoj për besimin dhe për përkrahjen. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marr thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga dhomat e specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.
“Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme. Jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, iu dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime edhe e luftës së UÇK-së është e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjë herë. Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme me një multietnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij, Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo Dodik Republika”, tha Haradinaj.
Kjo është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit si i dyshuar për krime lufte. Në vitin 2005 ai dha dorëheqjen nga pozita e kryeministrit pasi i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. /atsh