Loading...

Polifonia shqiptare mirëpritet në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani

Grupi folklorik “Bilbili”i Vlorës u duartrokit gjatë në prezantimin e tyre në festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Lauksnos”, në qytetin bregdetar Klaipeda, rreth 300 km larg kryeqytetit Vilnus, Lituani, që po zhvillohet nga 11-14 korrik.

Në një nga sheshet kryesore të qytetit të Klaipedas në Lituani, nisi mbrëmjen e djeshme paraqitja e grupeve të ardhura nga dymbëdhjetë vende të Europës e Botës për të performuar me vlera të trashëgimisë shpirtërore, mbrojtur nga UNESCO.

Grupi foklorik “Bilbili” u prezantua me disa nga këngët më të njohura të Labërisë e Bregut të Detit.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “në koncertin e parë ku shënohet edhe prezantimi i të gjitha grupeve pjesëmarrëse e ku organizatorët kishin programuar një kohëzgjatje deri 10 minuta, “Bilbili” i Vlorës paraqiti një buqetë këngësh e melodish me instrumente popullorë, të cilat u përcollën me duartrokitje e ovacione nga të pranishmit e shumtë”.

Meloditë baritore me fyell e cylë dyjare, interpretuar me mjeshtëri nga Vendim Kapaj “Mjeshtër i Madh” dhe Sinan Gjoleka, u lanë vend këngëve polifonike kënduar nga Piro Latifaj, Tajre Bozhani e Valbona Nora.

“Spektatorët dhe dëgjuesit e shumtë duartrokitën këngën baladë të Ymer Agos, “Thëllëza që shkon mbi vesë”, “Bejkë e bardhë” si dhe meloditë baritore në fyell e culë dyjare, shoqëruar me avaze zilesh e këmborësh”, tha Gjokoli.

Polifonia e kënduar nga Grupi “Bilbili” u prezantua nga moderatorja e festivalit si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit e shpallur nga UNESCO në vitin 2005 dhe kjo e shtoi edhe më shumë vëmendjen dhe kërshërinë për të gjithë.

Në festival, në Klaipeda të Lituanisë, në këtë qytet antik në breg të Balltikut, iso-polifonia shqiptare po shënon një tjetër performancë të jashtëzakonshme, si një kryevlerë e pa diskutueshme e kulturës dhe trashëgimisë tonë kulturore kombëtare.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com