Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen. Pesë shtetasit u transportuan për në qendrën spitalore, ku gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve Çekë të cilët kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën. Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.
Policia e Shtetit, ju bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha. Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motor uji apo varka deri në qetësimin e detit.
Policia Kufitare ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det dhe është angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta në det.
Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht edhe shërbimet e Policive Vendore si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor/atsh