“Pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën dhe ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash se koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në 2017”, – deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama.
Gjatë debatit parlamentar për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Rama tha se “politikisht Ilir Meta na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse e shohin krejt lakuriq të vërtetën e armiqësisë së egër të Ilir Metës ndaj shumicës sonë qeverisëse”.
Kjo, sipas Ramës, e ushqyer nga dëshpërimi i disfatës së planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve që synonte pengmarrjen e Reformës në Drejtësi dhe pengimin në pafundësi të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.
“I kam ndjekur me një ndjenjë mëshire budallallëqet e fallxhores Monikë dhe të Lulit, që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre deri te fajësimet në adresën tonë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe komentet për raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. Lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës, duke numëruar shqiptarët jashtë shtetit, shqiptarët në shtëpi dhe në plazh. Por do të numëronin gabim. S’ka më keq për humbësit se sa të sillen si fitimtarë dhe s’ka më mirë për fitimtarët nëse humbësit nuk e kuptojnë pse kanë humbur. Ata thonë 85 % e popullit refuzoi Ramën, dhe janë po këta që thonë se gjithë shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria, por kjo nuk i pengon t’i llogarisin që nga të ikurit e ambasadave”, – shtoi Rama.
Rama tha se pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën, dhe po ashtu kemi marrë një numër shumë të madh votash për kandidatët se sa pritshmëria jonë më optimiste.
“Krahasuar me 4 vjet më parë kur ishim me kandidatë të përbashkët, ky numër është vetëm 4% më pak. Po të kishim qenë në garë normale me kundërshtarë në çdo bashki dhe pa presionin e lartë kriminal me muaj të tërë dhe deri natën e fundit mbi zgjedhësit, pa diskutim që kjo përqindje do të ishte dukshëm më e lartë se e vitit 2015”, – tha Rama.
Por sipas tij, “ta lexosh si refuzim popullor përqindjen krejt normale të pjesëmarrjes në zgjedhje të bombarduara me kërcënime dhe ta shohësh rezultatin e PS-së si tkurrje elektorale, do të thotë të mos kuptosh se çfarë vjen më mbrapa”.
“Nga analfabetizmi politik dhe verbëria e udhëheqjes opozitare, ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi te fitorja, zero, në vitin 2021. Është e pangushëllueshme gjendja e përçartjes së tyre”, – tha Rama. /atsh