Loading...

Perlat e polifonisë shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani

Promovimi i folklorit dhe polifonisë shqiptare jashtë kufijve të vendit ku shpalosen ngjyrat, ritmet dhe energjia e një vendi me identitet europian, po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Grupi folklorik “Bilbili”, i Vlorës do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Lauksnos”, në qytetin bregdetar Klaipeda, rreth 300 km larg kryeqytetit Vilnus, Lituani, nga 11-14 korrik.

Ky grup i njohur folklorik do të marrë pjesë në festivalin me emrin e Diellit, mes dymbëdhjetë shtetesh pjesëmarrëse.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “njëzet vite më parë, pikërisht në vitin 1999, Grupi “Bilbili” mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folkut ” Balltica-99″, pikërisht në kryeqytetin e vendit, Vilnus. Tani, njëzet vite më pas, do të udhëtojë përsëri drejt këtij shteti, por në një tjetër qytet e festival”.

“Mes flamujve kombëtarë të Lituanisë, Kroacisë, Serbisë, Irlandës, Polonisë, Italisë, Bosnjë-Hercegovinës, Ukrahinës, Armenisë, Argjentinës e Indisë do të valëvitet edhe flamuri kuq e zi i shqiptarëve”, – thekson Gjokoli.

Sipas tij, ky është festival krejt i veçantë në larminë e këtyre lloj eventeve në mbarë botën.
Festivali “Lauksnos” zhvillohet vetëm me produkte folklorike e artistike të mbrojtura nga UNESCO.

“Bilbili” shqiptar vete edhe më krenar e plot dinjitet mbasi “produktet” që mbart e do të shpalosë përfaqësojnë, as më pak e as më shumë, por Kryeveprën shpirtërore të njerëzimit, certifikuar nga UNESCO katërmbëdhjetë vite më parë”, nënvizon Gjokoli.

Në këtë festival, vijon Gjokoli, grupi folklorik shqiptar do të prezantojë një mozaik këngësh të zgjedhura nga repertori çerekshekullor i këtij grupi.

“Por pjesë e programit janë edhe disa nga perlat më përfaqësuese të fondit të artë të labërisë do të “derdhen” skenave dhe mjediseve folklorike të Klaipedias në katër ditët e festivalit, përmes pjesëmarrjes dhe mjeshtërisë interpretuese të disa prej mbartësve të polifonisë së Labërisë , anëtarë të Folk Grup “Bilbili”: Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj (Mjeshtër i Madh), Piro Latifaj, Tajre Bozhani, Valbona Nora, Sadik Hodo, Adriatik Çenko, Trifon Malaj e Viktor Gjoka”.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. Grupi folklorik “Bilbili” është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar zhvilluar në Moldavi, në vitin 1995. Në vitin 1996 është pjesëmarrës në Folkloriadën e Parë Botërore, organizuar në Brunssum (Holandë), në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Balltika” në vitin 1999 është titulluar laureat i Festivalit.

Gjithashtu është pjesëmarrës në Festivalin Folklorik “Këngë Jeho”, në Strugë, po në vitin 1999. Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin e Klinës (Kosovë) , ku dhe fiton çmimin e parë në këtë festival.Në Tetor të vitit 2009 është pjesëmarrës në Festivalin e pestë Ndërkombëtar të Izmirit-Turqi. Gjithashtu në takimin e shoqatave kulturore, organizuar në qytetin e Sarandës në vitin 1996, grupi “Bilbili” ka fituar çmimin e parë. Ka nxjerrë në tregun muzikor vendas mbi 20 CD-i, të cilat qarkullojnë, si dhe janë përpunuar e kanë zënë vend në muzikën moderne./atsh