Loading...

Pension shërbimi për punonjësit e Policisë që ndërpresin marrëdhëniet e punës

Ministria e Brendshme ka propozuar projektligjin “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”, i cili është i domosdoshëm për faktin se, detyrat institucionale që ligji i ngarkon Policisë së Shtetit, janë të një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat e tjera shtetërore që aktualisht janë subjekte të ligjit për pensionet e ushtarakëve.

Në relacionin shpjegues për projektligjin, MB thekson se nga viti 1991 dhe në vazhdim kanë humbur jetën në krye të detyrës 223 punonjës policie dhe janë plagosur 248.

Gjatë këtyre viteve ka dhe punonjës policie të vrarë apo plagosur pas ndërprerjes së karrierës nga elementë kriminal, që janë vetëvrarë apo kanë pësuar trauma të rënda psikike/psikologjike për shkak të kryerjes së detyrave të vështira dhe specifike, duke sjellë paaftësinë e tyre për punë në Policinë e Shtetit në një moshë relativisht të re.

Punonjësi i policisë, për vetë natyrën e punës në këto struktura, e ka të limituar periudhën e ushtrimit të detyrave të cilat kërkojnë aftësi të larta fizike dhe rrjedhimisht do të largohen nga strukturat e policisë, para arritjes së moshës për pension pleqërie. Ndërkohë, që punësimi i tyre në shërbimet e tjera publike/private është thuajse i pamundur, pasi mosha dhe arsimimi i tyre ndikojnë ndjeshëm në një mundësi të tillë.

Disa punonjës policie për shkak të nevojave të veçanta të punës, si dhe kur ekziston një situatë reale dhe e rrezikshme ndaj jetës dhe familjes tyre, apo kur për qëllime të zbulimit të krimeve të rënda, infiltrohen në grupe të strukturuara apo organizata kriminale, mund të transferohen jashtë vendbanimit të tyre, gjë që detyron bashkëshortin/en të ndërpresë marrëdhënien e punës. Në këto kushte, me largimin e punonjësit nga policia, familja e tij do të mbetet pa mbështetje ekonomike dhe do të duhet të përballojë jetesën vetëm me pensionin e parakohshëm të tij.

Shkalla e vështirësisë në punë të punonjësve të Policisë së Shtetit është me e lartë se e punonjësve të institucioneve tjera që janë subjekte të ligjit për pensionin e ushtarakëve, pasi ata përballen çdo ditë me elementë kriminal, kryejnë veprime policore me rrezikshmëri të lartë për jetën e shëndetin e tyre si ndalime/arrestime, kapje të personave të kërkuar dhe operacione policore që kërkojnë jo vetëm përgatitje të lartë fizike, por edhe një moshë relativisht të re.

Sipas MB, nevoja e trajtimit financiar dinjitoz të punonjësit të policisë siç përcaktohet në këtë projektligj, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, buron edhe nga dispozitat e neneve 46 dhe 49 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, në të cilat përcaktohet se nëse punonjësi i policisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërpret marrëdhënien e punës dhe përfiton pension të parakohshëm suplementar apo pension shërbimi, nuk ka të drejtë të rikthehet në polici.

Në nenin 46, pika 3, përcaktohet se punonjësit, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët, duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit.

Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga policia dhe duhet të trajtohet sipas kritereve të përcaktuar në këtë projektligj.

Aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të policisë është 45.6 vjeç. Me miratimin e këtij projektligji për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve të policisë ulet në 44.1 vjeç.

Projektligji është një garanci për punonjësit e policisë që janë në marrëdhënie pune dhe një vazhdim logjik i statusit të tyre kur ndërpresin karrierën.

Miratimi i këtij projektligji do të ndikojë, në cilësinë e punës dhe të performancës së punonjësve të policisë në detyrë, në rezultatet në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në treguesit e luftës kundër korrupsionit si brenda dhe jashtë policisë, si dhe në objektivitetin e zbatimit të ligjit.

Nisur sa më sipër, projektligji është në harmoni të plotë me reformën e pensioneve të ndërmarrë nga qeveria, me skemat tjera të sigurimit suplementar për kategoritë e tjera të punonjësve të shtetit, me kontributin real të punonjësve të policisë së shtetit në skemën e sigurimit suplementar dhe në raport të drejtë me kontributin që ata japin për rendin e sigurinë publike dhe luftën kundër kriminalitetit.atsh