Parku Ujor Drilon-Tushemisht është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit piktoresk të Pogradecit.
Studioja portugeze e arkitekturës së peizazhit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve (AADF) prezantuan ditët e fundit në Pogradec, projektin e Parkut Ujor Drilon-Tushemisht.
Prezantimi u bë në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Bashkia Pogradec.
Projekti synon ta transformojë zonën në një destinacion të pakrahasueshëm ekoturistik, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara.
Në takim u parashtruan sfidat që dalin përpara në realizimin e këtij projekti. Tushemishti është përfshirë në programin e “100 fshatrave” dhe shihet me përparësi planifikimi i investimeve në infrastrukturë, të cilat do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë. /atsh