Loading...

Nisma “17+1”, Shqipëria pjesëmarrëse në Kampusin Rinor “Ura e së ardhmes”

Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lorena Haxhiu zhvilloi një vizitë në Kinë, ku mori pjesë në Kampusin Rinor “Ura e së ardhmes”, në kuadër të nismës “17+1”.

Kina është iniciatore e kësaj nisme, në bashkëpunim me 17 vendet e Europës Qendrore e Lindore, për të rritur e forcuar bashkëpunimin mes tyre.

Përgjatë punimeve të këtij Kampusi, ku pjesëmarrës ishin homologët e saj nga vendet e përfshira në nismë, Haxhiu prezantoi projektin e “Qendrës për Zhvillimin Rinor” që do të ngrihet në Tiranë dhe do të shërbejë si një pikë kryesore për të gjithë këto shtete.

“Ne të gjithë biem dakord se e kemi nisur nga pjesa më vitale e shoqërisë, investimi për të cilën përkthehet si investim për të tashmen e të ardhmen e gjithë shoqërisë. Ne e nisëm me rininë dhe kjo Qendër, jo vetëm do të rrisë mundësitë që të rinjtë e vendeve tona të jenë më afër njëri-tjetrit, por do t’u shërbejë atyre gjithashtu të ndërtojnë urat e komunikimit ndërkulturor dhe të marrin pjesë në veprimtari të përbashkëta rinore. Më shumë programe rinore shkëmbimi për studentët, sipërmarrësit, profesionistët e artistët e rinj”, – theksoi zëvendësministrja.

Delegacioni shqiptar realizoi gjithashtu takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të qeverisjes qendrore e vendore të Kinës, për të diskutuar në terma konkretë zhvillimin e këtij projekti. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com