Loading...

Miratohen procedurat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që përcakton rregullat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit.

Të gjitha produktet e peshkimit shiten për herë të parë në një treg të shitjes me shumicë. Përjashtohen nga detyrimi i përcaktuar në këtë pikë sasitë e vogla të produkteve të shitura direkt nga anija për konsumatorin, me kusht që ato të mos kalojnë vlerën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh në ditë.

Operatori i produkteve të peshkimit në tregun e shitjes me shumicë është një subjekt fizik ose juridik, i pajisur me NIPT tregtar. Për qëllime regjistrimi në tregun e shitjes me shumicë, secili operator identifikohet me numrin e tij të NIPT-it, emrin tregtar dhe kodin e identifikimit të prodhuesit, i cili është një kod unik, i lëshuar nga struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut.

Nga fillimi i negociatave të shitblerjes dhe deri në përfundim të tyre, kontrolli zyrtar i produkteve të peshkimit, për garantimin e plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në treg kryhet nga inspektori i AKU-së, me profesion veteriner. Produktet e peshkimit mund të shiten vetëm pasi është kryer kontrolli zyrtar i lartpërmendur.

I nënshtrohen kontrollit zyrtar, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë ushqimore, produktet e peshkimit, pavarësisht nga origjina e tyre. Këtij kontrolli i nënshtrohen edhe produktet e peshkimit të destinuara për përpunim dhe/ose konservim.

Gjatë kontrolleve zyrtare, produktet, të cilat rezultojnë të papërshtatshme për konsum njerëzor, shkatërrohen (groposen) ose mund të përdoren për qëllime të ndryshme, jo për konsum njerëzor. Drejtuesi i tregut ka për detyrë të shkatërrojë produktet e lartpërmendura në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kostot e shkatërrimit janë në ngarkim të prodhuesit/ pronarit të produkteve të peshkimit.

Shitësi është i detyruar të sigurojë zhvendosjen, transportin e produkteve të peshkimit dhe çdo operacion të kërkuar nga inspektori i AKU-së, që është i nevojshëm për kryerjen e kontrollit zyrtar.

Transporti i produkteve jashtë tregut me shumicë bëhet me automjete që plotësojnë kërkesat e përcaktuara nga dispozitat e sigurisë ushqimore, ato rregullatore dhe administrative në fuqi në lidhje me këtë çështje, të verifikuara nga inspektori i AKU-së.

Në tregun e shitjes me shumicë zbatohet plani i autokontrollit të bazuar mbi HACCP-në (Hazard Analysis and Critical Control Points), me qëllim që të garantojë sigurinë ushqimore të produkteve të peshkimit.

Funksionimi i tregut të shitjes me shumicë do të bëhet mbi bazën e një rregulloreje të miratuar nga ministri përgjegjës për peshkimin.

Shitja me shumicë e produkteve të peshkimit kryhet nëpërmjet ankandit publik me zë, elektronik ose telematik.

Fleta e ankandit përmban kodin e identifikimit të prodhuesit, NIPT-in, origjinën e mallit, numrin e arkave dhe peshën neto, listën e secilës shitjeje (duke specifikuar llojin e specieve, cilësinë, peshën dhe çmimin). Fleta e ankandit nuk zëvendëson faturën tatimore të shitjes.

Pasi arkat janë peshuar dhe vendosur në treg, prodhuesit nuk mund të marrin, për vete ose për të tjerë, sasi të produktit. Prodhuesi ka të drejtë të tërheqë nga tregu produktet e peshkimit akoma të pashitura, pa paguar për këtë asnjë lloj tarife.

Tërheqja nga tregu i produkteve të peshkimit mund të ndalohet nga inspektori i AKU-së për arsye higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore.

Ndalohet çfarëdolloj tjetër tregtimi i produkteve të peshkimit në perimetrin e zonës së tregut, sipas përcaktimit të bërë në rregulloren e funksionimit të tregut. Në treg funksionon shërbimi i verifikimit të peshës. Blerësi ka të drejtën të verifikojë peshën e mallit të blerë, me kushtin që ky verifikim të kryhet përpara se malli të dalë nga tregu. Nëse malli nuk rezulton në përputhje me cilësinë dhe sasinë e kontraktuar, blerësi ka të drejtën të anulojë blerjen.

Në treg grumbullohen të dhëna për sasitë dhe çmimet e shitjes së produkteve të kontraktuara, sipas kreut XII, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe vendimit nr. 256, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për grumbullimin, menaxhimin e përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe mbështetjen për këshillimin shkencor për Strategjinë Kombëtare të Peshkimit”.

Dokumenti bazë për grumbullimin e të dhënave është fleta e ankandit, e cila duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

a) Llojet dhe cilësinë;
b) Sasinë;
c) Origjinën;
ç) Blerësin.
Produktet e përziera (p.sh. fritura) lejohen vetëm nëse produkti është në të vërtetë i ofruar në treg si i tillë, edhe pse mbetet detyrimi për specifikimin e llojeve.

Të dhënat personale u nënshtrohen rregullave në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa të dhënat e tjera, si për çmimet ashtu edhe për llojet, cilësitë dhe sasitë, janë objekt publikimi.

Një herë në muaj, struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut me shumicë dërgon të dhënat e grumbulluara sipas pikave 1-3, të kreut IV, të këtij vendimi, të muajit paraardhës, pranë ministrisë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com