Loading...

Meta: Rekomandimet e diplomatëve na çojnë drejt Koresë së Veriut

Presidenti i Republikës, Ilir Meta propozoi sot për zgjidhjen e krizës që më datë 13 tetor të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe për presidentin.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në zgjidhjen e krizës politike.

“Kjo krizë politike nuk e ndihmon Shqipërinë. Do bëj çdo gjë për të ruajtur atë që kemi fituar në 30 vjet. Është mirë të mos e provojë askush kokëfortësinë time për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, është mirë. Nuk jam vetëm. Janë shumë shqiptarë. Rrugë për në Korenë e Veriut Shqipëria nuk ka për të bërë. Po u thellua kriza, do rivendosen edhe vizat”, tha Meta.

I pyetur se përse nuk ka thirrur në takim edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Meta tha se “nuk më nxjerr dot mua nipi i Spiro Kolekës antiamerikan. Unë vizën nuk ja heq kurrë demokracisë, as që bëhet fjalë në këtë botë. Pse niseni nga ata që nisin SMS-të, ata të gruas së Balilit. Unë zv.ambasadoren e SHBA-ve e kam takuar më vete, dy-tre ditë para se të merrej ky vendim (dekreti i zgjedhjeve). E kam sqaruar, i kam thënë keni ndonjë shqetësim nga ana ligjore? Jo. Faleminderit shumë, qëllimi është ky. Unë tani po përpiqem me të gjithë. Ne hall kryesor kemi të hyjmë për të çelur negociatat në tetor me BE-në. Dhe këtë e kanë në dorë aktorët e BE-së. SHBA ka një politikë të qartë, që mbështet integrimin. Qëndrimet që mbajnë ata është e drejtë e tyre? Kush në këtë botë thotë që presidenti nuk mund të mbajë qëndrimet e veta?”, tha Presidenti

“I kam bërë të qartë zotit Basha, Kryemadhit, mikut tim doktorit të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit dhe kanë gjetur njeriun e duhur për këtë çështje që nuk vjen në takim me presidentin por lahet në pishinë edhe pse presidenti i ka treguar rrugën e zgjidhjes”, tha Meta.

Më tej, Meta tha se “unë dhe shqiptarët do ta mbrojnë vendin nga ata miliarderë që u duket Shqipëria një mizë lisi që mund të tallen si të duan. Kam dy fjalë për miliarderin Soros, ju uroj jetë të gjatë, suksese dhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri, ti gëzojë miliardat. Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit. Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi. Jam i gatshëm të bëj testin e shëndetit mendor dhe pas kësaj krize duhet të vëmë në kushtetutë testin e shëndetit mendor dhe jam gati të bëj edhe testin e drogës, kurse për testin e shqiptarit e dinë ata që e kam bërë e do ta bëj në çdo kohë. Këto ishin zgjedhje socialiste. Nuk e kam për socialistët, përkundrazi sepse ndryshe nga Edi që ka pas shumë pirueta, unë kam qenë shumë konsekuentë në bindjen time. Deri sa të vdes do jem socialist, do vdes shqiptar dhe jo shqipfolës”.

“E ftoj z. Rama të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharak. Të mos tallen me Kushtetutën tonë. Sepse u tallën njëherë në 2008-ën. Duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu si burra shteti”, tha ai.

Gjatë konferencës, Meta foli edhe për një grup të strukturuar që punon kundër interesave të Shqipërisë që e quajti PPPd.”P e madhe janë politikanët, P – Propaganda (mediet), P – policia jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit si dhe d – diplomatët e huaj që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”.

“Që nga protesta e parë kam qenë në Mynih, kam bërë reagim menjëherë. Këtyre ndërkombëtarëve si nuk i vjen turp që nuk thanë një fjalë po ky kryeministër si nuk bëri asgjë për opozitën që iku nga parlamenti? Si nuk e priti opozitën? Nuk e panë ata që nga mitingu i parë deri tek i parafundit, bëj këta miting në Tiranë, bëj ai në Berat. Mirë ata që janë në opozitë, po ky kryeministër nuk ka përgjegjësi ndaj dhjetëra atyre njerëzve që paguajnë taksa? Përgjegjësia më e madhe është e qeverisë. Këta (ndërkombëtarët) shikojnë vetëm gabimet e opozitës dhe jo të qeverisë. Unë e krijova mundësinë për dialog, përse nuk erdhi. Të thoshte zoti president unë nuk iki nga karrigia e kryeministrit, ta shtyjmë këtë datë dhe të bëjmë zgjedhje lokale normale. E bëri ndonjëherë ai këtë gjë? JO! Më keni dëgjuar ndonjëherë të them unë “Rama Ik”? JO. Edhe mua më thoni tani për përgjegjësitë që kam unë? Unë po flas hapur, bëra gjithçka të ruaja qetësinë. Falënderoj drejtuesit e opozitës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që bënë thirrjen e tyre për qetësi më 30 qershor. Parlamentin e ka socialist. Është vetëm një deputet që kritikon opozitën, Lefter Maliqi, të tjerë nuk ka. Ai vetëm presidentin nuk e merr dot dhe nuk ka për ta marrë ndonjëherë. Dhe presidentin e FSHF-së vetëm ka lënë ndonjë gjë tjetër pa marrë? Drejtësinë po komplet Ramafon, të gjithë të dalin në diell t’i bien dajres”, deklaroi Meta.

“Ka njeri që nuk i kupton këto kurthet! Si nuk iu vjen turp ndërkombëtarëve. Kam ndërhyrë pesë herë kur u rrëzua ai z. Sait Dollapi aty. Po ndërkombëtarëve si nuk iu vjen turp që nuk ndërhynë. Nuk e panë ata se që nga mitingu i parë e deri tek i fundit, provoko ai, provoko dhe këta. Po mirë ata që janë në opozitë, po ky nuk ka përgjegjësi ndaj tyre, ndaj dhjetëra-mijëra që paguajnë taksa. Qeveria ka përgjegjësi. Ndërkombëtarët shohin vetëm problemet e opozitës dhe jo të mazhorancës. Po letrat që i bëri për dialog. Unë ia krijova mundësinë për dialog, pse nuk erdhi? Të vinte këtu dhe të thoshte “unë nuk iki, të gjejmë zgjidhje, të shkojmë në zgjedhje lokale normale”. Nuk e bëri këtë. Më thoshte “nuk vij të të takoj, por nga e hëna (1 korriku) shihemi. Për fat të mirë zgjedhjet përfunduan pa përplasje. Parlamentin e ka krejt socialist, vetëm Lefter Maliqin kam parë të opozitës, tani edhe bashkitë, edhe këshillat vetë, drejtësinë. Të dalim e t’i biem dajres”, deklaroi Meta.

Ai tha se do të kandidojë sërish për postin e presidentit në këto zgjedhje të 13 tetorit që ai propozon, dhe thotë se kryeministri Edi Rama mund të vërë cilin kandidat të dëshirojë.

“Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë”, tha Meta në konferencë duke shtuar se “unë do të garoj për president me këto kompetenca që kam. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama ta bëjë. Të mos tallet askush me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”.

“Nuk më intereson se kush fiton, Basha apo Rama, por nuk dua që të humbasë më Shqipëria për lojëra politikanësh dhe ambasadash”, tha Meta.

Presidenti thekson se gjithashtu zgjedhjet lokale do të mbahen më 13 tetor, duke shtuar se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se nuk është krizë politikë, por krizë e shtetit. “Kjo është një krizë e shtetit të së drejtës, dhe kryetar i shtetit është presidenti”, tha Meta.

Presidenti tha se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës ishte një axhendë ndryshe nga ajo e opozitë jo parlamentare, që është Rama ik. “Ajo ishte Rama reflekto, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Metës është kthyer në Rama kthjellohu”.

“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.

Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, Kreu i Shtetit tha se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokale, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.

Ndërsa për Reformën në Drejtësi, Meta tha se, u shndërrua në “Ramaformë”.

I pyetur nëse po flet si kryetar i opozitës, Meta tha se, “kjo është një krizë e shtetit të së drejtës dhe kreu i shtetit është Presidenti dhe jo kryetari i qeverisë që ka përgjegjësi për unitetin e popullit, për pluralizmin politik dhe sidomos në momente krize të bëjë më të mirën që shqiptarët të mos përplasen e vriten për politikë”.

“Opozita ka axhendë Rama ik, unë Rama reflekto. S’i kam kërkuar t’i lerë karrigen Lulit. Edhe Bashës i kam thënë mos iu shmangni institucioneve. Po t’i kishin dëgjuar më parë këshillat e mia, shumë më mirë do kishin dalë dhe as 5 % e shqiptarëve s’do kishin dalë. Socialistët janë njerëzit që kanë dhënë më shumë për demokracinë. Nuk po i kërkoj Edit karrigen e tij. Të votohemi nga populli, nuk do asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli. Mos harroni, në këtë godinë, pyesni prof. Meidanin, kam ikur nga këtu vetëm për një arsye, për të mos cenuar integrimin europian”, tha Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com