Loading...

Meta po ofendon stemën e Republikës

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, gjatë një interviste televizive u shpreh se vendi ka parlament funksional.

”Ne kemi thenë se jemi gati të sfidohemi nga opozita. Ata kanë kapriçio, ne gjykuam në të mirë të vendit. Po të bënim zgjedhje të përgjithshme, do të ishim rivotuar më shumë. Kushtetuta i parashikon situatat, nuk mund të bësh lojëra”, – tha Hyseni.

Duke komentuar propozimin e sotëm të Presidentit Meta që më 13 tetor të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, Hyseni tha se “Meta duhet të kishte dhënë dorëheqjen, qoftë moralisht dhe nga pikëpamja juridike”. “Meta po ofendon stemën e Republikës së Shqipërisë me ato që thotë. Ai po kërcënon imazhin e Shqipërisë dhe Kushtetutën”, – tha Hyseni.

“Çështjen e moralit të tij politik e zgjidh vetë ai, pjesën juridike do ta zgjidhim ne për pak ditë nga Parlamenti dhe punë javësh do të jetë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Sa i takon propozimit të tij ne nuk e marrim për bazë fare. Unë personalisht dhe nuk shpreh këtu opinionin e PS-së. Unë nuk do i referohem asgjëje që thotë Presidenti i Republikës, i cili edhe pse po rri në atë karrige ai po ofendon stemën e Republikës së Shqipërisë me këtë që po thotë. Do të punoj fort që një orë e më parë të mos jetë më në atë karrige, jo se më cenon gjë mua personalisht, por ai po cenon imazhin e Republikës së Shqipërisë”, – theksoi ai.

Gjatë kësaj interviste Hyseni foli edhe për zgjedhjet e 30 qershorit ku deklaroi se se me këto zgjedhje ka fituar vetëm Shqipëria.

”Glover, e tregon qartë fajtorin, grusht që i është dhënë opozitës. Ne i bëmë përpjekjet që opozita të vinte në zgjedhje. Ne mbajmë përgjegjësinë tonë, ne bëmë ç’është e mundur. Të hapur që skema politike të kompletohet, t’i japim mundësi opozitës të rikthehet rrugës politike. Kemi bërë ndaj elektoratit presion pozitiv, që të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare e të mos ndikoheshin nga situata aktuale. Mund të kishim marrë më shume vota, ka disa që janë stepur si intelektualë apo elektorat gri për shkak të pasigurisë së situatës. Kemi marrë më shumë vota se në 2017. Do ta bëjmë Shqipërinë me këtë opozitë, detyra jonë është t’ua shtrijmë dorën vazhdimisht, pa cenuar parimet kushtetuese e morale”, – tha Hyseni. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com