Një ditë pasi Presidenti Ilir Meta refuzoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, ka reaguar sot Akademia e Shkencave duke bërë të ditur se do të mbledhë asamblenë e saj për t’i kërkuar Kreut të Shtetit të shqyrtojë edhe njëherë këtë vendim.
Akademia e Shkencave e quan të pavlefshëm aktin e Presidentit, të konsideruar në kundërshtim me ligjin ndërsa hedh poshtë pretendimet e ngritura se Gjinushi nuk ka bërë publike tërheqjen nga drejtimi i Partisë Social Demokrate gjatë kohës që kandidonte për postin e kreut të Akademisë së Shkencave.
“Këshilli Ekzekutiv pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223 datë 11.07.209 konstatoi: Pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti si akt i dalë në kundërshtim flagrant me ligjin; mungesën e çdo mjeti ligjor me ligjin e ASH për të vepruar pas një refuzim emërimi; ngërçin juridik të krijuar midis faktit se kemi një Kryetar të zgjedhur nga Asambleja e ASH me një vendim të formës së prerë, pra të pacenueshëm e ndërkohë të paemëruar; faktin se pengesa e vetme për emërimin e kryetarit të zgjedhur, sipas arsyetimit të dekretit është mos bërja efektive e dorëheqjes para kandidimit më datë 24.05.2019 çka nuk është e vërtetë”, theksohet në njoftimin për shtyp.
Gjithashtu, në njoftim sqarohet se Akademia e Shkencave vendosi të mbledhë Asamblenë për të shqyrtuar e miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit të Republikës rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga ajo Asamble më datë 24/05/2019.
“Këshilli Ekzekutiv i ASH u mblodh sot më datë 13 korrik 2019 dhe vendosi që më datë 19 korrik 2019, ditën e premte, në orën 11.00 të bëhet mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me këtë rend dite: – Njohja me Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223, datë 11.07.2019, dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Ekzekutiv drejtuar Asamblesë për të kërkuar rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga kjo Asamble”.
Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave me 35 vota pro dhe 6 kundër. Ai garoi i vetëm në këto zgjedhje. /atsh