Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të vendeve të Europës Juglindore.
Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta, duke shprehur keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Republika e Kosovës, nuk është e pranishme në këtë Samit vuri në dukje se, “Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.”
“Më lejoni të përgëzoj Kosovën për marrjen e Kryesisë së saj dhe t’i suksese gjatë mandatit në këtë detyrë. Kam besim se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën e SEECP-së, do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, forcimit të dialogut politik si dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon”, tha Meta.
“Falë zgjerimit të NATO-s dhe integrimit në BE-së, rajoni mbetet i bashkëngjitur fort në arkitekturën më të suksesshme të sigurisë që ka njohur ndonjëherë Europa. Mund të thuhet pa frikë se kurrë më parë rajoni nuk ishte ka qenë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt. Të marrin për shembull hyrjen në fuqi së fundmi të marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës. Duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë e të vështirë dypalëshe, kjo marrëveshje shënon një hap të madh përpara në përparimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ky është me të vërtetë një lajm i mirë”, u shpreh Meta./atsh