Presidenti i Republikës, Ilir Meta propozoi sot për zgjidhjen e krizës që më datë 13 tetor të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe për presidentin.
Në një konferencë për shtyp, Meta tha se ky është propozimi i tij për zgjidhjen e krizës politike që vijon edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 30 qershor.
Ai tha se do të kandidojë sërish për postin e presidentit në këto zgjedhje të 13 tetorit që ai propozon, dhe thotë se kryeministri Edi Rama mund të vërë cilin kandidat të dëshirojë.
“Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë”, tha Meta në konferencë duke shtuar se “unë do të garoj për president me këto kompetenca që kam. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama ta bëjë. Të mos tallet askush me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”.
“Nuk më intereson se kush fiton, Basha apo Rama, por nuk dua që të humbasë më Shqipëria për lojëra politikanësh dhe ambasadash”, tha Meta.
Presidenti thekson se gjithashtu zgjedhjet lokale do të mbahen më 13 tetor, duke shtuar se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese.
Ai tha se nuk është krizë politikë, por krizë e shtetit. “Kjo është një krizë e shtetit të së drejtës, dhe kryetar i shtetit është presidenti”, tha Meta.
Presidenti tha se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës ishte një axhendë ndryshe nga ajo e opozitë jo parlamentare, që është Rama ik. “Ajo ishte Rama reflekto, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Metës është kthyer në Rama kthjellohu.
“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.
Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, kreu i shtetit tha se dekretin e tij i fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokal, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.
“E ftoj z. Rama të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharak. Të mos tallen me Kushtetutën tonë. Sepse u tallën njëherë në 2008-ën. Duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu si burra shteti”, tha ai.
Ndërsa për reformën në drejtësi, Meta tha se, u shndërrua në “Ramaformë”.
I pyetur nëse po flet si kryetar i opozitës, Meta tha se, “kjo është një krizë e shtetit të së drejtës dhe kreu i shtetit është Presidenti dhe jo kryetari i qeverisë që ka përgjegjësi për unitetin e popullit, për pluralizmin politik dhe sidomos në momente krize të bëjë më të mirën që shqiptarët të mos përplasen e vriten për politikë”.
“Opozita ka axhendë Rama ik, unë Rama reflekto. Si kam kërkuar t’i lerë karrigen Lulit. Edhe Bashës i kam thënë mos iu shmangni institucioneve. Po t’i kishin dëgjuar më parë këshillat e mia, shumë më mirë do kishin dale dhe as 5 % e shqiptarëve s’do kishin dalë. Socialistët janë njerëzit që kanë dhënë më shumë për demokracinë. Nuk po i kërkoj Edit karrigen e tij. Të votohemi nga populli, nuk do asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli. Mos harroni, në këtë godinë, pyesni prof. Meidanin, kam ikur nga këtu vetëm për një arsye për të mos cënuar integrimin europian”, tha Meta.
Gjatë konferencës, Meta foli edhe për një grup të strukturuar që punon kundër interesave të Shqipërisë që e quajti PPPd.”P e madhe janë politikanët, P – Propaganda (mediet), P – policia jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit si dhe d – diplomatët e huaj që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”./atsh
vijon….