Loading...

Meta: I gatshëm të shikoj 13 tetorin, por duhen zgjedhje përpara vendimit të BE për negociatat

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se, se është i gatshëm të shohë 13 tetorin si datë, por përpara datës 17-18 tetor kur merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave nga Këshilli i BE.

Duke folur për mediet nga Xhafzotaj në Durrës, Meta theksoi se, “Kryeministri e percepton ndoshta si datë tersi 13 tetorin dhe doja ta siguroja atë dhe të gjithë se e vetmja datë ndaj së cilës nuk kam asnjë mundësi të ndikoj dhe që është shumë e rëndësishme për shqiptarët, është 17-18 tetori, që do të vendoset për çeljen ose jo të negociatave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”.

Të gjithë ne”, theksoi Meta, “e kemi të qartë tani se me mik shumë të fortë vendimin për në qershor e shtymë për në tetor, për në vjeshtë, dhe është e domosdoshme të jemi të përgjegjshëm dhe të sinqertë para shqiptarëve, të paktën unë si president, por edhe zoti Rama si kryetar i qeverisë, natyrisht edhe zoti Basha si kryetar i opozitës. Se nëse përpara 17-18 tetorit, nuk do të arrijmë të organizojmë zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, dhe të gjejmë formulë për kapërcimin e kësaj krize, provimi i vjeshtës është i pakalueshëm”.

“Në vend ta kishim gjetur këtë zgjidhje që në momentin e parë kur shfuqizova 30 qershorin, të paktën të mos humbasin asnjë sekondë nga sot e në vazhdim sepse 17-18 do iki e do vi 19 tetori, dhe shqiptarët në 19 tetor nuk duan të dëgjojnë justifikimet askujt për të zhvilluar ping-pongun e radhës së fajit. Është e qartë se e vetmja datë ku nuk ndikoj dot është 17-18 tetori. Jam fleksibël, meqenëse zotit Rama mund t’i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori, që ta shikoj 13 tetorin, por përpara 17-18 tetorit. Unë po e pres me shumë durim, por edhe me shpresë për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme se përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë se do të dalë me kosto zero, veçanërisht ata që kanë punuar me përkushtim për të gatuar këtë rrëmujë në Shqipëri”, tha Meta.

“Para 20 vjetësh Shqipëria ishte para Kroacisë. Ku është Kroacia sot? Ku është Shqipëria? Shqiptarët po ikin sikur të ishte viti ’90. Kush do mbajë përgjegjësi?! Jam shumë fleksibël për të ndryshuar datën 13 tetor, me që është perceptuar si ditë tersi. Por nuk kam në dorë të ndryshoj dot 18 tetorin. Kemi fut mik të fortë për të shtyrë provimin në vjeshtë, por s’çelen negociatat me qoka ndërkombëtarë”, deklaroi Meta.

Në lidhje me vendimet e gjykatave Meta tha se “çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është demonstrim i rrëmujëhanës që zhvillohet. Mungesë e respektit për Kushtetutën, keq zbatimi i qëllimshëm dhe i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese që u realizuan tri vete më parë. Me një qarkore u shpall inekzistent dekreti i Presidenti dhe u mblodh organizata socialiste në KQZ dhe u bë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor, dhe u bë rrëzimi i kërkesës së zotit Idajet si rrëzimi i dekretit të Presidentit. Por siguroj shqiptarët që nuk ka pasur zgjedhje të qytetareve, as zgjedhje kushtetuese në 30 qershor. Çdo ndërkombëtar që thotë që gomari fluturon, kjo mund të ndodhë në art dhe pikturë, por në Shqipëri e dimë që gomari nuk fluturon. Nuk është shqiponjë”, u shpreh Meta.

Meta komentoi edhe komisionin hetimor parlamentar të ngritur nga maxhoranca për shkarkimin e tij.

“S’kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor, asnjë gjykatë, në Shqipëri apo në çdo institucion tjetër që ka juridiksion në Shqipëri. I vetmi shqetësim i imi është data 19 tetor. Çfarë do u themi shqiptarëve? Çfarë do u themi që e kishte fajin Edi apo fajin Luli dhe Mona. Çfarë do u themi që na gënjyen disa europian apo kështu na thënë disa amerikanë”, u shpreh Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com