Aktori i njohur shqiptar Luftar Paja deklaron se “jam për Teatër të ri Kombëtar, me të gjitha përmasat që i takon një teatri nacional shqiptar”.
Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e Luftar Pajës.
“Ne si artistë kemi harruar gjërat kryesore dhe merremi me llaçin dhe tullat. Duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatri Kombëtar dhe aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë. Qëllimi im kryesor është që të ketë një teatër siç i takon Shqipërisë”, shprehet Paja.
Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama thekson se “Luftar Paja është një tjetër protagonist i skenës sonë kombëtare, i cili shprehet pa asnjë ngurrim në krah të shumicës së komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar”.
“Ai jep një mesazh kuptimplotë për të gjithë ata që sikur të merreshin me artin, aq sa merren me protesta për tullat e për llaçin (ajo godinë në fakt s’ka as tulla, po tallash e qereste), do kishin lënë me siguri më shumë vepra se sa fjalime për qerestenë”, thotë Rama. /atsh