Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në mbrëmje se “kemi një rritje të konsiderueshme të turizmit krahasuar me një vit më parë dhe janë 6,7 milionë të huaj që hynë në vendin tonë këtë vit”.
I ftuar në një studio televizive, Klosi tha se “ne duhet të kemi një lloj krenarie, se në krahasim me vendet e rajonit po ecim shumë shpejt”. “Duke u rritur numri, rritet edhe kërkesa për të rritur çmimet, për tu bërë vend më atraktiv”, – tha ai.
Duke folur për sezonin turistik, Klosi tha se “kriza politike ndikoi shumë, por numri i turistëve është në rritje”. “O ishte sezon me probleme 2019, me shumë frikëra, plasi këtu, plasi aty, do ndodhi, s’do ndodhi, molotovi, debati, sherri, a do ndodhi që Shqipëria të kthehet në 1997, dhe numri i turistëve është në rritje”, – tha ai.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit tha se bashkë me Agjencinë e Turizmit është duke u punuar për të krijuar një strategji të re për detin dhe për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që ofron vendi.
Klosi foli edhe për sfidat e industrisë së turizmit në vendin tonë.
“Turizmi është një biznes që duket i kollajshëm, turizmi hyn te bizneset që kanë të bëjnë me kënaqësitë, ndërkohë që aktorët që e realizojnë këtë biznes vuajnë shumë dhe kanë të gjithë të drejtën e botës të jenë kritikë me politikën, me administratën publike, qendrore e lokale, pasi nuk kemi arritur ende t’u japim atyre peshën dhe vëmendjen e merituar”, – tha ai.
Sipas tij, “problemi më i madh i turizmit, është zgjerimi i sezonit dhe mbushja me alternativa”.
“Sot mund të themi se jemi duke dalë nga ajo faza e turizmit të aventurës, nga ajo adoleshenca aventureske dhe jemi duke u futur në një turizëm të ndryshëm. Pra, që kur turistët të vijnë të kenë mundësi të shkojnë të vizitojnë Krujën, një ngjitje në Tomorr apo një vizitë në lumin e Shalës, etj.”, – tha ai. /atsh