Dashuria për fëmijët i ka ndryshuar jetën Erion dhe Entela Sylari nga Lushnja, të cilët prej 8 vitesh drejtojnë një kopsht që e kanë krijuar vetë, ndërsa zemra e tyre është tashmë plotë pas birësimit të vajzës së tyre.
“Ne jemi njohur në adoleshencë në 93-94 kur ishim pjesë e aktiviteteve të ndryshme që organizoheshin në kishën tonë nga disa misionarë nga Suedia dhe ishim bashkë në të njëjtin grup të rinjsh.
Atë vit rrugët tona u ndanë unë emigrova me familjen në Athinë dhe Erioni vazhdoi mjekësinë në Tiranë.
U takuam pas disa vitesh përsëri së bashku. Ajo që na bashkoi më tepër ishte qëllimi i përbashkët për jetën, një jetë për komunitetin, këtë e kemi pasur që në fillim, dhe qëllimi mund të shkaktojë një martesë”, shprehet Entela për rubrikën “Njerëz të panjohur” në ERTV.
Erioni pasi mbaroi shkollën e latrtë punoi për 13 vjet mjek në një komunë të Lushnjës dhe më pas drejtor i Qendrës Shëndetësore”.
Ndërsa Entela vazhdoi studimet për informatikë në Shkencat Informatike dhe punoi disa vite tek një bankë në Lushnjë.
Por, thekson ajo, nuk isha e plotësuar më pëlqente shumë puna me fëmijët dhe edukimin.
“Duke përfshirë edhe njerëz të tjerë që ndikuan jetën tonë ne morëm një hap guximi dhe pse të mos provojmë të hapim një kopsht. Para 8 viteve kjo punë ka filluar vetëm me 7 fëmijë duke pasur një program dhe pesë karrige asgjë më shumë. Sot pas 8 viteve është ndërtuar gjithë kjo punë edhe stafi është pjesë e këtij suksesi”, – nënvizon Entela.
Erioni rrëfen se kanë bashkëpunime të ndryshme me disa shkolla të ndryshme nga Kavaja , Rrogozhina dhe Grabiani.
“Çdo ditë ne japim 40 -50 fëmijëve një vakt pas shkolle, marrim fëmijët që nuk kanë mundësi të shkollohen, duke u blerë materialet shkollore, por duke gatuar edhe një vakt që të vijnë pas shkolle aty. Përmes këtij projekti ne u mësojmë fëmijëve si të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të jenë të përgatitur për ditën tjetër në mënyrë që ata të mos kenë të njëjtin fat që prindërit e tyre nuk patën mundësi të shkollohen, po duam ti japim një tjetër mentalitet këtyre fëmijëve. Ne mundohemi të mos jemi të dukshëm për t’u mburrur që ja çfarë po bëjmë ne”, – shprehet Erioni.
Sipas tij, nuk duhen njerëz të mëdhenj për të ndryshuar botën, duhen njerëz të zakonshëm që bëjnë gjëra të zakonshme për të ndryshuar botën.
Entela tregon për një moment të rëndësishëm në jetën e tyre.
“Para 6 vitesh Erioni u përpoq për 30 vjetorin të bënte një surprizë dhe shkuam tek komiteti i birësimeve dhe e morëm listën me dokumentet që duhet të plotësonim dhe lista priti 6 vjet tek frigoriferi. Deri sa në viti 2018 ne pritëm që ashtu si një fëmijë ngjizet nga bashkëpunimi i dy personave, besojmë shumë se edhe birësimi duhet të ngjizet nga bashkëpunimi i dy zemrave dhe duhet të vijë koha e të dy personave”,- thekon Entela.
Ajo shprehet se aplikuan vjet në maj. “Hodhëm një hap, prapë guxuam dhe thamë do të ndjekim atë që ligji thotë për këtë gjë dhe guxuam. Duke qenë se më thërrasin miss Eni këtu në shkollë, filluan fëmijët të flisnin me njëri tjetrin e thoshin Miss Eni ka vajzë, por ajo nuk e kishte vajzën tek barku e duke parë që ata ishin konfuzë për këtë pjesë mu desh ti ulja dhe të ndaja një orë mësimi për ti treguar atyre realitete të ndryshme që ne kemi në shoqërinë tonë, që ka fëmijë në botë që nuk e kanë mamin e babin, por ne mund të jemi prindërit e tyre”.
Do të doja, vijon ajo, që ti ekspozoja ndaj një shtëpie të foshnjës që mund të kuptojnë që në komunitet ka aspekte të tjera të jetës.
Duke treguar emocionin kur pane vajzën e tyre për herë të parë, Erioni thotë se “kur vajza futet në dhomë pata një emocion të fortë më iku zëri, nuk pata mundësi të flisja, sepse emocioni ishte përtej pritshmërisë. Mora vajzën, e cila po më shikonte dhe normalisht humba fare kush ishte rreth e përqark”.
“Më bëri shumë përshtypje që një fëmijë 11 muajsh la lodrat dhe me butësinë e saj u afrua tek ne . Duke vënë re etjen që ajo kish për dashuri, kjo ma rrëmbeu zemrën. Kur ti shikon një fëmijë që ka nevojë për ty e gjithë bota jote humbet dhe shikimi i saj më mbeti në mendje për shumë orë dhe atë natë nuk mund të flija dot. Ndoshta jeta nuk fillon ashtu si të gjithë do të donim të fillonim, por nuk do të thotë se nuk ka shpresë në çdo situatë që ne të gjendemi në jetën tonë”, tregon Entela.
Ndërsa Erioni thekson se “shpresojmë të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve, por edhe kjo nuk ka shumë rëndësi se ne duam ta jetojmë jetën sipas zgjedhjeve që ne bëjmë dhe zgjedhjet tona janë liria jonë, pastaj kur ne zgjedhim nuk jemi më të lirë, por jemi pjesë e zgjedhjes sonë”.
Të dy prindërit e rinj thonë se do të shkëputen për disa javë , të tre, për të shkuar në Sarandë për pushime, për të vazhduar e themeluar këtë familje të re, që sipas tyre, sapo ka filluar.
“Jemi të plotësuar zemra jonë është plotë”, thonë ata./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/984056955265811/?t=0