Një person që e la veten të rrëmbehej nga ujëvara e Niagarës u gjet shëndosh e mirë 50 metra më poshtë, njoftoi të mërkurën policia kanadeze.
Policia e parqeve të Niagarës morri një telefonatë të martën në orën 04:00 të mëngjesit që njoftonte për një person në krizë pranë ujëvarës së famshme.
“Pasi policia mbërriti në vend, personi ishte duke kapërcyer barrierat mbrojtëse dhe më pas la veten të rrëmbehej nga ujërat”, theksoi në “Twitter” policia.
“Pas disa kërkimeve në fund të ujëvarës, burri u gjet i ulur mbi një shkëmb, i plagosur por jashtë rrezikut për jetën, duke u dërguar më pas në spital për t’u mjekuar”, sipas policisë.
Ai u hodh nga ana kanadeze e lumit Niagara, në kufij me SHBA-në, duke mbijetuar nga një rënie prej rreth 57 metrash. /atsh