Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e cilësoi një lajm fantastik për diplomacinë shqiptare hapjen e ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë, miratuar sot nga qeveria shqiptare.
“Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithësi”, tha Cakaj.
“Rëndësia e këtij vendimi duhet parë edhe në një rrafsh më të përgjithshëm politik dhe diplomatik. Mbulimi i marrëdhënieve diplomatike të Republikës të Shqipërisë me Australinë dhe me disa prej vendeve të Azisë dhe Paqësorit është mbuluar krejtësisht nga Ambasada e Shqipërisë në Pekin”, theksoi Cakaj.
Sipas tij, në këtë kuptim, kapaciteti veprues i Shqipërisë në këtë hapësirë gjeopolitike ka qenë më i ulët sesa vetë rëndësia gjeostrategjike e saj.
“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm)”, tha ministri Cakaj.
Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofrojë afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik.
“Pra, gjykuar nga rëndësia politike, strategjike, diplomatike e konsullore, hapja e Ambasadës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë është një veprim me peshë të patjetërsueshme! Shumë shpejt me veprime të ngjashme në hapësira të tjera për ta bërë Shqipërinë më të pranishme nëpër botë”, tha Cakaj. /atsh