Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, kandidat i Partisë Socialiste fitues për një mandat të dytë pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ, theksoi të hënën se “sot fitoi Himara jonë, kudo në Lumin e Vlorës dhe në Lukovë, Himara e bashkuar e së ardhmes”.
Duke falënderuar çdo banor të Himarës , Goro shprehet se “falënderoj çdo votues që ditën e djeshme duke mos marrë parasysh temperaturat e larta, largësinë nga qendrat e votimit, për vetë pozitën e vështirë gjeografike të fshatrave në bashkinë tonë, përveç ndonjë “pengese artificiale” që ka të bëjë me prezencën e kundërshtarëve tanë politikë pranë qendrave të votimit (e paligjshme). Ata kundërshtarë, të cilët gjej rastin t’i ftoj publikisht të kontribuojnë, duke hedhur kështu matanë skepticizmin dhe kundërshtinë e tyre, kjo si një sfidë e re për ta bërë së bashku Himarën. Himarën që me rrugën e Lumit të Vlorës në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një e bashkuar”.
“Himara që punon e gjitha për zhvillimin ekonomik të banorëve të saj, të çdo bindje apo përkatësie partiake, duke parë vetëm potencialet e saj të pakrahasueshme që i ka falur Zoti, të rralla dhe të veçanta, më e bukur sa më s’ka”, shprehet Goro.
Kreu i bashkisë së Himarës falënderoi gjithashtu çdo banor të bashkisë Himarë që nuk ndodhet në Shqipëri dhe që nuk mundi dot të ishte prezent për të votuar, por që ndjek me shqetësim dhe interes atë që ndodh në vendin tonë.
Po ashtu Goro uroi këshilltarët e rinj bashkiakë të çdo spektri që rezultoi fitues në këtë garë elektorale.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të 38 kutive kandidati i Partisë Socialiste, për këtë bashki, Jorgo Goro ka fituar duke marrë gjithsej 4209 vota. /atsh