Ferma blegtorale “Tris Alb”, një nga fermat model në Shqipëri, falë mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural po rrit kapacitetet e saj prodhuese, duke arritur sot të prodhojë deri në 6,5 tonë qumësht në ditë. Ambientet e kësaj ferme u vizituan sot nga Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e AZHBR-së, Frida Krifca dhe nga kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi.
“Jemi në një nga fermat blegtorale më të mëdha në Shqipëri. Ka rreth 470 krerë. Kemi ndihmuar nëpërmjet skemës kombëtare me ndërtimin e stallës së tretë që i duhet fermës për shtimin e kapaciteteve”, tha Frida Krifca, drejtoreshë e AZHBR.
Kjo fermë, bashkëpunon me rreth 300 fermerë për bazën e ushqimit duke pasur kështu një impakt të madh në zonë. Investimet në këtë sipërmarrje synojnë rritjen e prodhimtarisë, standardeve dhe konkurrueshmërisë, duke u përgatitur për tregun e Bashkimit Europian, në vijim të procesit të integrimit.
“Siç thonë shqiptarët, oreksi vjen duke ngrënë. Ne kemi rreth 470 krerë. Rreth 230 i kemi në prodhimtari qumështi dhe shpresojmë të shkojmë tek 650-700 me stallën e re që po bëjmë”, u shpreh sipërmarrësja.
Kryeministri Rama u shpreh se “do bëjmë çmos që t’ju mbështesim se nuk është problemi vetëm tek mbështetja e individëve, apo e sipërmarrjeve që krijojnë këtë vlerën e shtuar dhe ciklin e mbyllur, por është tek shembulli, tek modelet që të tjerët të mësojnë që nuk mund të vazhdojë më bujqësia që rri tek kjo copa ime dhe pres nga qielli që të vijë qeveria të m’i bëjë të gjitha”.
“Duhen shtuar forcat, duke u bashkuar dhe duke ndërtuar një marrëdhënie tjetër. Nuk ka asnjë mundësi tjetër e prandaj ne jemi shumë të prirur të mbështesim këto modele. Ju keni bërë një model ekselent dhe ne ju jemi mirënjohës”, tha Kryeministri Rama.
Me rreth 25 punëtorë të përhershëm dhe disa dhjetëra të tjerët sezonalë, “Tris Alb” synon të modernizojë proceset e punës dhe ambientet e kompleksit blegtoral, duke rritur kështu edhe numrin e punonjësve të përhershëm. Kryeministri vlerësoi punën e bërë në këtë fermë dhe u shpreh se ky është modeli që duhet ndjekur nga fermerët në të gjithë vendin. /atsh