Flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe me ngjyrë mjaft interesante, janë rikthyer gjatë këtyre ditëve të nxehta korriku në ‘shtëpinë e tyre’ në Kriporet dhe lagunën e Nartës.
Afro dy mijë individë flamingosh adultë, janë përqendruar tashmë në një digë duke u përpjekur të folezojnë sërish, pasi tashmë memorandumi i gjuetisë e ka kthyer këtë vend në një habitat të sigurt për këta shpend interesant.
Gjithashtu këto zogjtë lozonjarë tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.
Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.
Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur. /atsh