Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në ditën Botërore të Aftësive Rinore, bën thirrje për më shumë vëmendje për të rinjtë në shoqëri dhe në veçanti për të rinjtë me aftësi të kufizuar.
“Sipas Censusit të 2011, numri i të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç u llogarit në 704 mijë, duke përfaqësuar një të tretën (25,2 përqind) e të gjithë popullsisë. Me këtë përbërje të moshës, popullsia e Shqipërisë është mes popullsive më të reja në Europë. Të dhënat tregojnë një përmirësim të qartë të nivelit arsimor të realizuar nga grupmosha më të reja, por megjithatë mbeten prapa sa i takon arritjeve arsimore”, shprehet Komisioneri.
Po ashtu Komisioneri shton se të gjithë shqiptarët kanë të drejta të barabarta për akses në arsim në të gjitha nivelet pa diskriminim në lidhje me statusin e tyre social, kombësinë, gjuhën, gjininë, fenë, bindjet politike, gjendjen shëndetësore dhe nivelin ekonomik. Të rinjtë me aftësi të kufizuara përballen vazhdimisht me izolim social, varfëri dhe diskriminim – dhe kjo duhet të ndryshojë. /atsh