Zv/kryeministri Erion Braçe reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Selenicë, ndërsa e ftoi atë dhe kryetarin në detyrë të bashkisë Selenicë (PD), Përparim Shametin, që të punojnë realisht për interesin publik.
“Ti Lyrzim nuk po lufton për karrige? Ti Lyrzim po lufton për interesin publik? E ke seriozisht? Atëherë, merre për veshi atë Papin tënd, domethënë “kryetarin legjitim” të Selenicës, të dy bashkë ngrihuni nga karrigia partiake e tavolina po e tillë, shkoni e ndërroni transformatorin nga merr energji pompa e ujësjellësit, se meruat Selenicën. Ka 7 ditë pa ujë dhe Papi yt legjitim as që mendon për këtë”, tha Braçe.
Ujësjellësi, sipas Braçes, është në pronësi të bashkisë, por “pompa u dogj se e linte ditë-natë ndezur e pa kontroll dhe pompën e re ja blemë dhe ja vendosëm ne, qeveria”.
“Tani lërini dënglat dhe ndërroni transformatorin se edhe atë e keni djegur! Ky është interes publik! Bëjeni tani meqë qenkeni në Selenicë. Ndryshe e bëjmë ne, por ti e ju hani peshk pas kësaj”, tha Braçe./atsh