Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi të mërkurën se jemi të vendosur për të vazhduar pa asnjë hap pas, betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes me Kolegjin e Kryetarëve duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse ka një vendim në lidhje me lënien e zyrave nga kryebashkiakët, Basha theksoi se “dua të falënderoj nga zemra edhe njëherë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan diktaturën më 30 qershor”.
Në lidhje me pyetjen nëse u vendos një datë për protestë, Basha tha se është vendosur thirrja e një proteste kombëtare për ditën e hënë.
“Një protestë për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane”, tha Basha./atsh