Loading...

Balla: 2019, viti kur Shqipëria hap negociatat me BE

“Viti 2019 është viti kur Shqipëria do hapë negociatat”.

Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste televizive nga ku edhe theksoi se çelja e negociatave është vetëm fillimi i procesit drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ka agjendë shumë të rëndësishme komunikimi dhe reformash. 2019 është viti kur Shqipëria do hapë negociatat. Më 2020 ne hyjmë në negociata me BE. Hapja e negociatave ka rëndësinë e vet, por Shqipëria do të bëjë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në BE. Hapja e negociatave është vetëm fillimi i procesit drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, – tha Balla.

Ai nuk hezitoi të komentonte edhe sjelljen politike të opozitës, së cilës sipas tij ka ndikuar në imazhin negative të vendit tonë kundrejt vendeve të Bashkimit Europian.

“2019 edhe me përpjekjen e vazhdueshme prej janarit nga ana e kësaj opozite përfshirë edhe bashkëngjitjen në dukje të Presidentit të Republikës për të denigruar imazhin e vendit, për të sulmuar, për të vënë epitet të paqena reformës më të rëndësishme mbi të cilën u bazua raporti i progresit të Komisionit Europian, citoj progresraportin që vlerëson Reformën në Drejtësi si reformën kyç mbi të cilën u bazua vlerësimi për t’i rekomanduar Këshillit Europian nisjen e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë. Ritheksoj, jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Kemi përfunduar një palë zgjedhje vendore të cilat dashje pa dashje u kthyen pse jo në një test më shumë sesa politik dhe institucional. Shqipëria bën zgjedhje, i bën të lira, të ndershme e të qeta”, – tha ndër të tjera Balla.

Në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor kundrejt shkeljeve të bëra nga ana e Presidentit sipas tij, ky i fundit do të duhet të lërë zyrën e Presidencës.

“Do të jetë komisioni hetimor që do të përcaktojë shkeljen për të cilën bëhet fjalë dhe më pas po Kuvendi i Shqipërisë me vendim por me votim të fshehtë t’i hapë dritën jeshile vijueshmërisë së procesit të shkarkimit të zotit Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese.

Unë kryesoj listën e 55 deputetëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij dhe si i tillë, edhe si kryetar grupi jam në ushtrim të drejtë të asaj që e njeh Kushtetuta për më shumë se ¼ e deputetëve për të iniciuar shkarkimin dhe të gjithë biem dakord.

Nuk ka në Shqipëri dyshime se Presidenti i Republikës ka lënë mënjanë kushtetutën, ligjet, rolin shumë të rëndësishëm që ka Presidenti dhe që e shndërroi Presidencën në një rezistencë të përkohshme të opozitës, një seli të opozitës.

Ishte një akt i dëmshëm, jo kushtetues i cili meriton të hetohet dhe në rast se komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit do të gjejë gjetjet e nevojshme për të justifikuar faktin që Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë të kushtetutës, patjetër mendoj që duhet të shkarkohet”, – tha Balla.

Ai shtoi se “me sjelljet e tij dhe aktet antikushtetuese të tij të Presidentit të Republikës duhet ta lirojë atë zyrë dhe mjaftojnë këto për të mos thënë të tretën, atë që është paksa më e rëndë por që duhet thënë dhe është që ai komunikim i Presidentit të Republikës dhe ky që vijon çdo një orë është larg së qenuri të një Presidenti Republike dhe unë në mënyrë figurative e njehsova me sjelljen e një gaztori cirku i cili mundohet të bëjë për të qeshur arenën e cirkut, kur cirku mblidhet”, – përfundoi Balla./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com