Loading...

Asambleja Kombëtare, Shalsi: PS, forcë politike që vazhdimisht përmirësohet

“Partia Socialiste është një forcë politike që vazhdimisht përmirësohet”, – deklaroi sot ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

I ftuar në një studio televizive, Shalsi komentoi mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke shtuar se “menjëherë pas zgjedhjeve vendore, PS futet në një proces zgjedhor dhe bën një analizë”.

Duke komentuar zgjedhjet e 30 qershorit, Shalsi tha se “për ne ka qenë shumë i rëndësishëm procesi”. “Kishim një proces të qetë, të rregullt e korrekt. Do të donim t’i kishim në garë, por kjo nuk ishte zgjedhja jonë, ishte zgjedhja e opozitës, – tha Shalsi, ndërsa shtoi se, – nuk kemi të bëjmë me një agoni politike të përgjithshme, por është një agoni e opozitës”.

Lidhur me ndryshimet në drejtimin e tre qarqeve dhe sekretariatin e PS-së, Shalsi tha se “vazhdimisht PS ka pasur lëvizje dhe ky nuk është as rasti i parë dhe as i fundit”.

“Valdrini është një djalë me barrë të madhe në qytetin e Shkodrës. Duhet që atë proces të suksesshëm që kemi kryer në qytetet e tjera ta shtrijmë edhe në Shkodër. Është gjykuar se do të jetë më efektiv drejtimi nga Pjetri, që ka qenë edhe Prefekt”, – tha ai.

I pyetur lidhur me zgjedhjet në PS, Shalsi tha se “nuk besoj se PS ka arsye që të zëvendësojë një njeri që ka provuar se ka qenë i suksesshëm në pushtetin vendor dhe atë qendror si Edi Rama”.

“Edi Rama është një person që ka dëshmuar me punë dhe me vepra se ka lënë gjurmë në qeverisjen vendore dhe qendrore”, – tha ai.

Ndërsa lidhur me rotacionin në disa bashki që më parë janë drejtuar nga opozita, Shalsi tha se “marrja e mandateve në gjithë Shqipërinë nuk duhet parë si një revansh apo me doza triumfalizmi si në të kaluarën, kur kryebashkiakët e rinj kanë larguar nga puna pa kurrfarë kriteri dhe kanë zëvendësuar njerëz profesionistë”. “Mesazhi i Kryeministrit është i qartë: Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk ka nevojë për revansh politik. Askush nuk duhet të hyjë me doza triumfalizmi si në të kaluarën, pasi qeverisim pa dallim”, – tha ai.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Shalsi tha se “në mbi 20 vjet askush nuk mori iniciativën për ta shembur këtë sistem dhe për të ndërtuar një sistem të ri”.

“Fatmirësisht mbas shumë e shumë vitesh pritje, shqiptarët po shohin një sistem drejtësie që përmes sakrificave dhe pengesave të vazhdueshme po ngrihet”, – tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com