Loading...

Ambasadorja Glover: E kënaqur nga zgjedhjet e të dielës, reforma zgjedhore e domosdoshme

Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet lokale 2019 në Shqipëri deklaroi se për zgjedhjet e 30 qershorit do të varet nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre, ndërsa e cilësoi kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri të domosdoshme dhe një orë e më parë.

Në një intervistë për Deutche Welle (DW), ambasadorja Glover thekson se “nuk ka mbaruar ende gjithë cikli i procesit zgjedhor. Jemi duke parë me shumë interes ankimimet, që janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor”.

“Jam shumë e kënaqur që në zgjedhjet e të dielës vështirë se pati ndonjë akt të rëndë dhune. Zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe në rregull, gjë që është shumë e mirë, duke marrë në konsideratë se sa shumë dhunë ka patur në zona të ndryshme të vendit, sa të dhunshëm kanë qenë muajt e fundit. Por, përderisa procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ende nuk mund të përshkruaj atë në tërësi”, – tha Glover.

E pyetur se çfarë pasojash solli për votuesit bojkoti i 30 qershorit nga PD dhe partitë e tjera opozitare jashtë parlamentit, Glover tha se “kandidatë për kryetarë bashkie garuan pa konkurrentë përballë. Kam folur me disa kandidatë që nuk patën kundërshtarë… ata më thanë, se kjo gjë largoi disi interesin nga zgjedhjet, kur nuk ke asnjë përballë, asnjë kundër, kjo ndikon në performancën e kandidatit, sa bindës është. Në 31 bashki nga 61 nuk pati kandidatë kundërshtarë. Votuesit në këto bashki nuk patën mundësi të bëjnë zgjedhje, në kuptimin e plotë të fjalës”.

Ambasadorja Glover theksoi se “përcaktimi i zgjedhjeve varet nga autoritetet e këtushme, varet se ҫfarë kanë ndërmend të bëjnë si rezultat i kësaj situate. Ne mund të nxjerrim në pah, të tregojmë se si ishte situata, por janë autoritetet e Shqipërisë që do të vendosin se ҫfarë do të bëjnë në të ardhmen, si pasojë e bojkotit të opozitës dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë”.

Duke e cilësuar mospjesëmarrjen e opozitës të pazakontë, Glover tha se “zgjedhjet janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Për zgjedhjet e 30 qershorit do të varen nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre”.

“Të gjitha vendet anëtare të OSBE-së kanë nënshkruar angazhimet e tyre lidhur me standardet e zgjedhjeve demokratike. Por, është shteti, autoritetet e këtushme që do të vendosin se ҫfarë do të bëjë me zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk na takon ne të vendosim. Ne do të shkruajmë raportin dhe do të bëjmë rekomandime”-, nënvizoi ajo.

Lidhur me qëndrimin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Glover u shpreh se “në raportin tonë përfundimtar do të ketë vlerësime dhe opinione të pa anshme për zgjedhjet lokale të 30 qershorit”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a sollën argumente shtesë, a vërtetuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit, se kryerja e reformës zgjedhore në Shqipëri është e domosdoshme dhe një orë e më parë, Glover theksoi se “kryerjen e reformës zgjedhore e kemi rekomanduar prej një kohe të gjatë. Shqipëria duhet të ketë një sistem drejtësie që të funksionojë si duhet, të ketë Gjykatën e Lartë dhe më e rëndësishme të ketë Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të jetë pjesë e rekomandimeve edhe kësaj here në raportin tonë final. Për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë një sistem ligjor dhe gjyqësor, që funksionon si duhet”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com