Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë një interviste televizive foli për nismën e mazhorancës për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Ajo u shpreh se nisma ka kaluar në Komisionin e Ligjeve dhe procedura për shkarkimin e tij mund të mbyllet brenda 10 ditësh.
“Sot për sot, kërkesa e deputetëve firmëtarë i ka shkuar Komisionit të Ligjeve. Komisioni i Ligjeve shqyrton kërkesën e deputetëve paligjshmëritë, antikushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit. Më pas Komisioni e kthen ose i bën kërkesë Parlamentit të votojë shkarkimin e presidentit. E gjitha mund të ndodhë në një javë ose 10 ditë. Nuk ka pse të ketë Komision Hetimor. Mund ta bëjë dhe Komisioni i Ligjeve. Ndoshta do të thërrasë dhe vetë Presidentin, kam përshtypjen të hënën. Më pas Komisioni del me një vendim që ja dërgon Kuvendit. Procedura është më e shpejtë nga sa e parashikuat ju”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka.
Në lidhje me skenarët e nxjerrjes së Ushtrisë nga presidenti, ditën e zgjedhjeve, Xhaçka tha se nuk ekziston një mundësi e tillë.
“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e rendit kushtetues. Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, u shpreh Olta Xhaçka. /atsh