Sezoni veror i këtij viti do ti gjejë ujërat në det në qytetin e Vlorës më të pastra, duke sjellë një ndikim të madh në sektorin e turizmit, falë vënies në funksion të plotë të impiantit të ujërave të zeza në “Pyllin e Sodës”.
Kështu deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorjan Xhelili.
“Impianti është në funksion të plotë këtë sezon veror. Është një financim i BE dhe Qeverisë Shqiptare prej 21 milionë eurosh. Këtë sezon veror ai do të bëjë të mundur që filtrimi i ujërave të ndotura të shkojë në 70%, duke bërë që ujërat në det të jenë më të pastra”, – theksoi Xhelili.
Sipas tij, kjo do të ketë ndikim të madh në sezonin turistik të këtij viti.
Xhelili u shpreh se ky impiant do të trajtojë të gjitha ujërat e ndotura të qytetit të Vlorës.
“Aktualisht po punohet për të shtuar kapacitete dhe për të avancuar me teknologjinë për rritjen e shërbimit. Garantoj qytetarët dhe pushuesit se si pasojë e kësaj vepre do të kenë ujëra detar të pastër këtë sezon turistik”, – tha Xhelili.
Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë është një vepër infrastrukturore e rëndësishme për mjedisin e turizmin. Ai konsiderohet si një investim strategjik me rëndësi të madhe për qytetin, që disiplinon rrjetin e ujërave të zeza, si dhe shërben për një standard të ri të Vlorës turistike me bregdet të pastër./atsh