“Sulmi mbi KZAZ-në e Vaut të Dejës është shfaqja e egër e dëshpërimit të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe Sali Berishës, nga fundi i sigurtë me turp ditën e dielë i aventurës së tyre antikombëtare, për të marrë peng zgjedhjet që të marrin peng Shqipërinë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Duke dënuar këtë ngjarje, Rama siguroi se “ndëshkimi do të jetë shembullor”.
Militantë të PD-së në Shkodër kanë protestuar këtë mbrëmje duke sulmuar KZAZ-në numër 6 e cila është vendosur në Bushat, në palestrën e shkollës së mesme profesionale “Ndre Mjeda”.
Sipas Policisë, gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta dhe për pasojë janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit Vau i Dejës, që ishin në shërbim./atsh