“Ju uroj mirëseardhjen në këtë sofër tradicionale Iftari ku buka që ndajmë së bashku është dëshmia më domethënëse se si zemra i flet zemrës, sipas një shprehjeje të bukur të të madhit Kardinal Njuman”.
Më këto fjalë e nisi përshëndetjen Kryeministri Edi Rama në sofrën tradicionale të Iftarit, të shtruar në Natën e Kadrit, në kuadër të Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, ku ishin të pranishëm drejtues të besimeve fetare në vend, besimtarë, ministra, diplomatë të huaj, deputetë të Partisë Socialiste, etj., në Pallatin e Brigadave.
“Dëshiroj t’i uroj një mirëseardhje të veçantë Basri Tanushit, Osman Bashës dhe Rakip Cukut, baballarë dhe vëllezër të “Dëshmorëve të Atdheut” Klodian Tanushi, Ibrahim Basha dhe Artan Cuku. Ndihemi të nderuar e të prekur që ju kemi këtu mes nesh. I përjetshëm dhe i paharruar kujtimi i bijve tuaj “Dëshmorëve të Atdheut” tonë të përbashkët!”
“Përjetimin më të mirë të kësaj nate të mirë të Kadrit e bën më të ndjerë kumbimi i ndjeshëm i zërit të Ezanit, i cili paqësisht, qetësisht, qartësisht, thërret prej shembullit të përulësisë personale forcën e lutjes së përbashkët. Sipas traditës islame, i pari që e lartësoi Ezanin ishte një skllav, abisinasi Bilal, i emancipuar mbi nënshtrimin dhe përbuzjen nga mëshira e Bubekrit, ky i fundit shok i armëve dhe lutjeve të Profetit, u prek më tepër nga forca e shembullit të Bilal Etiopasit, sesa nga shembulli i forcës që mishëronin ata që kalëronin në krah të tij dhe kryqëzonin shpatën me armikun”, – theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se “është gjë e ndjerë dhe e bukur, kur kinse për ta respektuar zërin paqeprurës që vjen nga shkretëtirat dhe nga tutje-tëhut e kohërave edhe vetë adhuruesit e forcës, e reshtin poteren, i squllin flakadanët dhe ulen në sofër, siç thonë ata në respekt të besimtarëve. Por më pas kur Ezani hesht, ç’bëhet me poteren, ç’bëhet me flakadanët, po për besimtarët kush mendon me respekt? A thua se kur shkon lutja, shkon edhe shembulli e mbetet ndasia, e vazhdon jeta, sikur asgjë të mos kish ndodhur. Megjithatë në sofrën e Iftarit ka vend për të gjithë, edhe për hipokritët, për të cilët i shenjti Kuran dëshmon që janë gënjeshtarë”.
“Për të përligjur forcën hipokritët përpiqen t’i afrohen forcës që mbart shembulli ta shpërdorojnë dhe ta transformojnë, megjithatë më të fortë sesa shembulli i pararendësve nuk ka dhe t’u përngjash atyre është virtyt”, – tha Rama.
Duke falënderuar të gjithë për praninë në këtë sofër tradicionale, Rama tha se “jemi të rrethuar nga mure që rrezatojnë histori pushtetesh dhe që na mësojnë nëse kemi vesh t’i dëgjojmë, që pushtetet ndërrohen, por shtegu i arsyes mbetet dhe kush prej tij devijon, humb pushtetin mbi vetveten. Qoftë edhe kjo banesë meditimi sot e kthyer në e tillë për shkak të sofrës së Iftarit, një shëmbëlltyrë për urtësi dhe paqe, e dashtë Zoti, rrezatoftë edhe më gjerë!”
“Në fund fare, siç thotë fjala në Kuran, këtë banesë të mbrame ia japim atyre që nuk duan të jenë kryeneçë e të marrin njerëzit në qafë. Gjithçka në fund i përket atyre që u ka përkitur gjithmonë, janë ata që i frigohen Zotit. Iu qoftë i lehtë agjërimi të gjithë besimtarëve myslimanë, të gjithë juve dhe të gjithë atyre që sipas fjalëve të shenjta janë në besë dhe gjithë sa janë i përngjiten paqes, larg ecejakeve të ndasibërësve, zullumqarëve të pandreqshëm”, – tha Rama./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2364648853808101/?t=0