Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se jka bllokuar dy aktivitete të paligjshme një në Tiranë dhe një në Shkodër, që prodhonin produkte ushqimore jashtë kushteve higjeno sanitare dhe ka gjobitur subjektet në vlerën e mbi 200 mijë lekëve.
Në një njoftim për shtyp AKU bën të ditur se, Drejtoria Rajonale e AKU-së në qytetin e Shkodrës, ka konstatuar se një subjekt me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe joalkoolike” që i ishte mbyllur veprimtaria gjatë një kontrolli të mëparshëm, rezultoi se ky i fundit vazhdonte aktivitetin e tij në kundërshtim me ligjin.
Në prani të strukturave përkatëse, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore, nga ku u konstatuan 44.5 ton produkte (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit dhe duke shpërfillur Urdhrin e Bllokimit të organit kompetent të sigurisë ushqimore.
Për subjektin në fjalë u morën masat e gjobës në vlerën 100,000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese, gjobës në vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe gjobës në vlerën 200,000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor.
Gjithashtu, u la në fuqi vendimi i inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit, si edhe u bllokuan 44,513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe joalkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar etj), dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike.
AKU bën të ditur se, ushtroi kontroll edhe në subjektin Y.M , Tiranë ku u konstatuan produkte ushqimore të cilat rezultuan të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin (fasule, sojë, qumësht gomarice, kavanoza me boronicë, çaj, uthull me mbishkrime mjekësore, hudhër, arrë kokosi, lajthi, stika, arra etj).
Sipas AKU-së, ambienti ishte i mbingarkuar me produkte, i pa sistemuar, produktet ruheshin në dysheme dhe disa produkte mbaheshin edhe në ambiente sanitare. Rezultoi se subjekti operonte në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës dhe nuk operonte me sistemin e vetëkontrollit HACCP, si dhe nuk dispononte sistem funksional gjurmueshmërie.
AKU mori masat e gjobës në vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse, gjobës në vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare, gjobës në vlerën 200,000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP), gjobës në vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe gjobës në vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin./atsh