“30 qershori nuk është për të zgjedhur kryetarët e bashkisë, kjo është për të zgjedhur midis dy rrugëve, ose një Shqipëri me shtet, ku politikanët jo vetëm janë të parët që respektojnë ligjin, por janë shembulli për respektimin e ligjit, ose një Shqipëri përsëri në rrumpallë në rrëmujë dhe patjetër pastaj me ekonominë që nuk ngrihet lart”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral në Sarandë.
“E dëgjoni kur thonë do bëhet 97-a? Po pse do bëhet 97-a? Kujt i kanë humbur këtu kursimet e gjakut dhe djersës për shkak të qeverisë. Ku është këtu populli që është ngritur gjithandej që kërkon dorëheqjen e qeverisë. Ku janë këtu depot e armëve që janë hapur nga NATO për të bërë ’97. Është shumë e thjeshtë. Mjafton që Iliri t’i thotë fallxhores mos bli kafe turke deri në 30 qershor nuk ka ’97 dhe s’ka asgjë. Mjafton ata mos pinë kafe turke deri në 30 qershor këtu bie qetësia. 4 veta. Të tjerët janë ose qorra ose nuk kanë lidhje me këta këtu mbrapa, janë demokrat të zakonshëm që se duan rrëmujën, që s’pajtohen me djegiet e shkollave dhe kjo është e gjitha”, tha Rama.
Prandaj, theksoi kryeministri, “në 30 qershor vota nuk është hajde votojmë për PS, por për Shqipërinë që ne duam jo me socialistë e demokratë, por si familjarë, si prindër, si banorë të çdo komuniteti që rrëmujën, pisllëkun maskarallëkun, zhurmën e kaosit të predikuar nga këta pseudo opozitarë ta lëmë pas në të shkuarën. Që kjo komedi që përsëritet si komedi e enveristëve të dikurshëm që sot janë këto çeta të qorrave që dalin në rrugë të mbarojnë dhe të ndahet shapi nga sheqeri se Shqipëria nuk është e politikanëve as e atyre që kanë të drejtën e votës, është në radhë të parë e fëmijëve tanë”.
“Nëse fëmijët që lindën në ’90 u bënë nga 30 vjeç dhe vetëm vitet e fundit po shohin një përpjekje për të bërë shtet, fëmijët që lindin sot s’mund të bëhen 30 vjeç dhe akoma të vuajnë pasojat e një historie që në 30 qershor duhet të ndërpritet njëherë e mirë”, tha Rama./atsh