Loading...

Shfuqizimi i datës së zgjedhjeve, Ndreca: Akt politik, juridikisht i pavlefshëm

“Kushtetuta i jep afate kufizuese dhe një nga dispozitat e saj parashikon se kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve ushtrohet me patjetër me detyrim 9 muaj përpara kësaj date”.

Juristi Plarent Ndreca tha gjatë një interviste televizive se shfuqizimi i dekretit nga ana e Presidentit është një akt i pavlefshëm juridikisht.

“Neni 92 i kushtetutës përcakton shumë qartë kompetencën e Republikës në të cilën thuhet se cakton datën e zgjedhjeve. Edhe për kompetencë të presidentit të Republikës është një kompetencë e kufizuar. Kushtetuta i jep afate kufizuese dhe një nga dispozitat e saj parashikon se kjo kompetencë e Presidentit të Republikës ushtrohet me patjetër me detyrim 9 muaj përpara datës së zgjedhjeve. Kushtetuta dhe kodi zgjedhor parashikon shprehimisht periudhat zgjedhore që janë deri në 30 korrik, deri në 30 tetor.Data 30 qershor është data ekstreme e periudhës zgjedhore e cila është vendosur po nga Presidenti i Republikës, kështu që edhe në këtë kuptim Presidenti e ka ushtruar kompetencën e tij. Kompetenca e heqjes së datës së zgjedhjeve nuk është parashikuar gjëkundi dhe kjo është një shkelje flagrante e kushtetutës së Shqipërisë”, tha Ndreca.

Juristi sqaroi se vendimi i Presidentit nga pikëpamja juridike nuk sjell asnjë pasojë në këtë situatë.

“Vendimi i Presidentit është një akt i pastër politik. Nga pikëpamja juridike nuk sjell asnjë pasojë në këtë situatë, është një akt nul absolutisht i pavlefshëm sikurse quhet në njohjen juridike” tha ndër të tjera ai.

Ndreca shtoi se “në kushtet ku ne jemi, pra ku jemi në brenda një procesi zgjedhor që do të thotë që është një proces i pandalshëm nga askush sepse tashmë i është menduar administratorëve të procesit zgjedhor dhe qytetarëve ditën e zgjedhjeve. Ky akt mund të konsiderohet vetëm si një tentativë sepse patjetër nuk ka sjellë dhe nuk do të sjellë asnjë pasojë. Është një tentativë nga ana e Presidentit për të ndërhyrë në procesin zgjedhor tashmë të nisur dhe që do të mbahet në data në 30 qershor. Por, sigurisht mbetet një akt tjetër që është një akt politik i presidentit të republikës, fatkeqësisht. Presidenti e ka hequr kostumin e tij prej Presidenti dhe përfaqësues i unitetit të kombit dhe është ulur në një prej bazës politike duke e konsideruar vetëm argumente të një pale politike dhe ka hyrë në mes të debatit politik duke mbajtur krah dhe duke dëmtuar gjithë procesin zgjedhor”.

Më tej, Ndreca theksoi se ” nga pikëpamja juridike, besoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shprehet për deklarimin e këtij akti si absolutisht të pavlefshëm, duke deklaruar që ky akt nuk ndërhyn në procesin zgjedhor dhe procesi zgjedhor të vazhdojë normalisht ashtu sikurse e parashikon Kushtetuta”.

Në lidhje me procedurën e shkarkimit, juristi u shpreh se ky proces është i ndarë nga ai zgjedhor. “Kjo është një çështje tjetër që duhet ndarë nga procesi zgjedhor. Procedura për shkarkimin e Presidentit është një procedurë e cila ka të bëjë edhe me një reagim politik e juridik të mazhorancës për të reaguar ndaj vendimmarrjes së Presidentit të Republikës, për të respektuar Kushtetutën e republikës së Shqipërisë, sepse në momentin që Presidenti shkel rëndë Kushtetutën ka një parashikim kushtetues që i jep mundësi mazhorancës për të zhvilluar procedurën e shkarkimit.

Ndreca shpjegoi po ashtu se “hapi i parë i mazhorancës është mbledhja e firmave për shkarkimin e Metës, komision i pavarur për të hetuar administrativisht mbi veprimtarinë e kryer nga presidenti i Republikës dhe më tej me seancën plenare që kërkon 3/5 e votave të parlamentit për të dalë në vendimmarrjen për shkarkimin e presidentit. Ky është një proces kushtetues që legjitimon mazhorancën për ta bërë por nuk ka lidhje me procesin zgjedhor dhe aktin e ndërmarrë nga Presidenti i Republikës”. /atsh