“Përgjimet nuk janë prova, por janë mjetet për të gjetur prova dhe në bazë të tyre hetohet më tutje për të zbardhur një të vërtetë”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati, duke komentuar përgjimet e publikuara nga “Bild”.
E ftuar në një studio televizive, deputetja Ferhati tha se, “detyra e personave që kishin akses në këto dosje ishte të hetonin dhe jo të nxirrnin informacion”.
“Kushdo që ka nxjerrë informacionet hetimore për t’i bërë publike duhet ta tregonte gjithë këtë zell për profesionin. Ne nuk duhet të flasim fare për çështjet nën hetim, sepse prokuroria dhe gjykatat duhet të bëjnë punën e tyre. Nuk mundet kurrsesi të interpretohet një pasazh i shkëputur i një dosjeje dhe të dilet në konkluzione”, – tha ajo.
Ferhati theksoi se nga ajo që ka dëgjuar në kronika televizive nuk ka asnjë implikim të atyre që thuhen, në vepra penale të kryera nga eksponentë të PS-së në lidhje me zgjedhjet.
“Media, sado prestigjioze qoftë, nuk është gjykatë e prokurori. Në çdo vend të botës kështu është, ndaj organet ligjzbatuese do të doja që të bënin punën e të hetojnë dhe zbardhin të vërtetën”, – tha Ferhati.
Sipas saj, “rrjedhja e informacionit nga një dosje e cila është nën hetim, përbën shkelje”. Ferhati tha se “përgjegjësia qëndron brenda institucionit dhe kushdo që nxjerr informacion duhet të ketë kujdesin e duhur që të mos cenojë interesat e drejtësisë”.
“Këtu nuk po flitet për diskutime të natyrës morale, por për implikime në vepra të rënda. Çdo politikan është i detyruar moralisht të ketë një komunikim korrekt me të gjithë zgjedhësit në zonën e tij dhe nuk mund t’i kërkojë banorëve certifikatën e penalitetit”, tha Ferhati.
Ajo theksoi se “me këto situata synojnë të krijojnë në këto momente rrëmujë dhe “trazira” për t’i vënë perde punëve reale që po bën kjo qeveri”. “Nëse ka një çështje ku drejtësia duhet të flasë, të lëmë drejtësinë të flasë. Ne nuk mundemi me komentet tona të marrim rolin e gjykatës e të prokurorisë”, – tha ajo./atsh