“Baba Haxhiu u ngjall, po zgjedhjet nuk i vret dot dhe data e re e Baba Xhikes është një arsye e fortë më shumë, për të votuar të dielën, më 30 qershor, qetësisht e vendosmërisht, si shqiptarë pa dallim e as ngurrim, kundër karnavaleve të politikës pa din e as iman”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama.
Rama reagoi pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për të dekretuar 13 tetorin si datën e re të zgjedhjeve vendore.
“Haxhiu, ai i pari, Qamili pra, mbante në xhep një vulë, e cila ishte një togëz rripi që trimat e tij e kishin plaçkitur, mes shumë sendesh të karvaneve tregtare. Mbi të shkruhej greqisht “Kompani kafeje Export-Import” dhe dekretet e Haxhiut vuloseshin me të, pa e ditur as ai vetë ç’shkruhej mbi të! Ndërsa Haxhiu tjetër, Salvatori ynë Qametaj ose ndryshe, Presidenti ynë në shkarkim e sipër, e di çfarë shkruhet mbi Vulën e Republikës, po s’di hiç çfarë bën me dekretet për llogari të Saliut, Lulit e Monikës”, tha Rama./atsh