Loading...

Protestat nuk janë të popullit, por të një opozite me udhëheqje të degraduar

“Kjo nuk është një protestë e popullit, por janë protesta të një opozite me një udhëheqje të degraduar që ka humbur logjikën”, – deklaroi mbrëmjen e djeshme Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Kryeministri Rama tha se “ata tani janë në një situatë dramatike, pasi kanë hedhur në erë urën nga mund të ktheheshin”.

Sipas Ramës, “djegia e mandateve është një gabim strategjik i jashtëzakonshëm dhe duhet të jesh i marrë të bësh atë që bën ata”. Tani, tha Rama, ata i udhëheq marrëzia.

Kjo nuk është një protestë e popullit, tha Rama, duke shtuar se “është një protestë e telekomanduar nga një elitë politike e udhëhequr nga një udhëheqje e verbër”.

“Unë jam shumë krenar për faktin që ne kemi ndryshuar rrënjësisht qasjen e qeverisë dhe shtetit ndaj protestës dhe Policia e Shtetit ka një qëndrim superproporcional. Faktikisht bilancet janë skandaloze me 10, 12 dhe 15 policë që shkojnë në spital. Herën e fundit njëri nga punonjësit mund të kishte humbur syrin”, – tha Rama.

Në këtë aspekt, Rama tha se, “kemi qenë një model i ri”. “Unë kam dalë në protestë në një kohë kur ishte reale mundësia që të humbisje dhe kokën, dhe kanë humbur jetë”, – tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “protestat vijnë duke rënë në numër dhe vijnë me premisa dhune më të mëdha”. “Ky është degjenerim i partisë që lindi si krijesa e parë e pluralizmit.
Trazirat prodhojnë imazhe skandaloze për Shqipërinë”, – tha Rama.

Ai u shpreh se “unë mund të bëj gabime dhe mund të mos arrij dot t’i bëj të gjitha gjërat si dua, por unë gjithmonë prirem për të bërë një gjë të drejtë, jo për të bërë një gjë të shtrembër, apo për t’i bërë keq të tjerëve”.

“Nuk ndjehem si një njeri që është punësuar kryeministër për karrierë politike, por sepse ndiej se kam një mision, një detyrim dhe përpiqem të bëj gjënë e duhur. Nuk bëj kurrë gabime të qëllimshme, si rasti i Gërdecit, që ishte të bëje me qëllim një gjë komplet kriminale. Nëse ne do të shpërblenim politikën e destruksionit ekstrem, ne do të hynim në një epokë politike ku destruksioni do të vendoste rregullat”, – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com