Pjesë e programit “100 Fshatrat”, Katundi i Vjetër në Mirditë po tërheq çdo ditë turistët vendas dhe të huaj në atraksionet turistike të saj si: Shpella e piktogrameve, Manastiri Françeskan, alpinizëm, turizëm kulinar etj.
Për të rritur standardet e agroturizmit dhe zhvilluar ekonominë në fshat, programi “100 fshatrat” po mbështet investimet e banorëve të zonës në ngritjen e bujtinave, të cilat ofrojnë më shumë se një turizëm kulinar për kënaqësinë e turistëve, që kërkojnë natyrë dhe rekreacion.
E përshkuar nga përrenj të pacenuar, mes pyjeve dhe burimeve ujore, bujtina e re që është ndërtuar këtu përbën një pjesë të ekosistemit të zonës së Mirditës.
Agjencia Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka mbështetur këtë investim në agroturizëm, me një vlerë financimi prej 5,2 milionë lekë.
Nëpërmjet mbështetjes së AZHBR, synohet zhvillimi ekonomik i zonave rurale, evidentimi, promovimi i orientuar në lokalitete përmes shfrytëzimit të resurseve, nxitjes së investimeve dhe rritjes në punësim. Çka do të thotë rritje të ardhurash, konsum dhe zhvillimi i bizneseve të tjera utilitare me kontribut në rritjen e të ardhurave nga taksat, të cilat i rikthehen zonave rurale në formën e investimeve të reja publike.
Programi “100 fshatrat” synon rilindjen rurale dhe kthimin tek njerëzit. Rezultatet e para kanë filluar me programet e mbështetjes nga AZHBR. Zona e Mirditës ka pritur 65 mijë vizitorë në sezonin turistik 2018, ndërsa kanë filluar të zhvillohen bujtinat e para./atsh