Presidenca tha sot pasdite se dekreti i Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet lokale, është i detyrueshëm për t’u zbatuar, pasi mbështetet në Kushtetutë.
Bledar Dervishaj, këshilltari ligjor i Presidentit Meta, në një konferencë për mediet u ka bërë thirrje palëve për të gjetur së bashku një zgjidhje për krizën.
“Në vend të një diskutimi mbi argumentet ligjorë që u mbështet Presidenti dhe në vend që të ishte një moment ku të shfaqej një reflektim apo ku mund të diskutohej për zgjidhjen e krizës, sot përkundrejt kësaj pritshmërie u lëshuan lumenj fyerjesh ndaj institucionit të Presidentit. Kjo retorikë nuk i shërben zgjidhjes së krizës dhe paqes në vend”, – tha Dervishaj.
Këshilltari ligjor i Presidentit deklaroi se dekretet e Presidentit nuk duhet të diskutohen dhe as të komentohen, por mund të ankimohen vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë tagër ligjor të votojë apo marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit të Republikës. “Askush veç Gjykatës Kushtetuese nuk shqyrton vlefshmërinë e dekretit. KQZ është i detyruar ta zbatojë dekretin”, – tha ai.
“Ky akt është marrë bazuar tërësisht në argumente kushtetues ai është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Akti i Presidentit, referuar marrëdhënieve juridike dhe argumenteve e bën dekretin e Presidentit një akt me natyrë të veçantë dhe askush përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta gjykojë vlefshmërinë”, – tha ai.
“KQZ është i detyruar ta zbatojë dekretin. Presidenti ka kompetenca të qarta. I ka në Kushtetutë. Ka dërguar një dekret për zbatim. Është dërguar në Fletoren Zyrtare dhe pret çdo institucion që është i detyruar ta zbatojë. Çdo subjekt politik apo jopolitik, i cili nuk është dakord me vendimmarrjen e Presidentit apo kundërshton kompetencat është i lirë të ngrejë pretendimet në Gjykatën Kushtetuese apo çdo gjykatë tjetër”, – theksoi Dervishaj.
Presidenti i Republikës ripërsërit edhe një herë qëndrimin e Tij drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm partive politike, se ky vendim është marrë me përgjegjshmëri të plotë dhe në vlerësim të të gjithë rrethanave dhe fakteve, për të shmangur çdo mundësi që të provokohej një konflikt destabilizues me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend, e cila mund të kulmonte me një përplasje më datë 30 qershor.
“Për caktimin e kësaj date Presidenti ka nisur një proces konsultimit më të gjitha palët politike. Presidenti do të shprehet me dekret për caktimin e një date të re. Këshillat bashkiakë aktualë do të ushtrojë funksionet deri në krijimin e këshillave pasardhës. Kjo nuk është një zgjatje e mandatit për organet vendore, por një detyrim që e përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Çdo aludim se në datën 8 gusht ndërpritet mandati i tyre është një trillim politik”, – sqaroi Dervishaj.
“Presidenti ka nisur një axhendë konsultimesh dhe s’mund të flasim gjë tjetër për momentin. Presidenti i ka të qarta detyrat sipas Kushtetutës dhe ka nxjerrë një akt, një dekret dhe institucionet që kanë për detyrë ta zbatojnë, duhet ta zbatojnë”, – vijoi Dervishaj.
“Presidenti Meta i ka bërë ftesë dhe kryetarit të PS, Edi Rama për bisedime, sikurse dhe kryetarit të PD Lulzim Basha. Ndërkaq negociatat pritet të vazhdojnë edhe sot me partitë e tjera”, – theksoi Dervishaj.
“Presidenti i Republikës ripërsërit thirrjen ndaj të gjitha palëve politike, që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore për të reflektuar dhe t’i përgjigjen ftesës së Presidentit për dialog, për të gjetur sëbashku një zgjidhje për krizën, përfshirë edhe dakordësimin e një date të re zgjedhore. Presidenti rigaranton se është i gatshëm të marrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata në përputhje me kompetencat që Kushtetuta ja ka përcaktuar”, – nënvizoi Dervishaj. /atsh