Shqipëria turistike këtë herë ishte në syrin e disa përfaqësuesve të medieve sllovake. Gjatë udhëtimit të tyre ata bënë një itinerar turistik dhe kulturor ku vizituan qytete si Tirana, Durrësi, Fieri (Apolloni) dhe Vlora.
Para largimit nga Shqipëria, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ata shprehën impresionet e tyre për këtë udhëtim interesant në Shqipëri.
Ata e cilësuan vendin tonë si një nga destinacionet turistike të rëndësishme në Europë. Gjithashtu gazetarëve sllovakë, të cilët mbulojnë sektorin e turizmit, u kishte lënë mbresa ndërthurja e mrekullueshme mes kulturës, bukurive natyrore, trashëgimisë dhe gastronomisë.
“E shohim që Shqipëria është në fazën e zhvillimit të turizmit. Mund të bëhet një destinacion shumë interesant pasi ofron detin, historinë, trashëgiminë dhe gjelbërim. Me siguri do bëhet një destinacion i rëndësishëm në Europë. Ditën e parë vizituam Tiranën, pastaj Durrësin dhe pata një eksperiencë të mrekullueshme në Apolloni. Njerëz shumë të këndshëm, miqësorë dhe simpatikë. Në muzeun arkeologjik të Durrësit takuam studentë të cilët ishin shumë të qeshur dhe të sjellshëm me ne. Ata janë e ardhmja juaj”, tha njëra nga gazetaret sllovake.
Ndërsa një tjetër gazetar sllovak u shpreh se, “kam qenë këtu tri vite me parë në Shëngjin dhe duhet të them se sa më shumë të zbresësh në jug aq më bukur është. Vlora ka qenë një destinacion i preferuar për turistë por besoj se dhe zonat e tjera janë shumë tërheqëse. Jam i lumtur që kthehem dhe shoh se keni bërë shumë përparim. Në Durrës, Golemi ishte shumë i bukur, por edhe Vlora më ka impresionuar shumë. Në darkë ishte shumë bukur, kishte hapësira ku mund të bisedoje me njerëzit dhe të kaloje një pasdite shumë të këndshme”.
“Jam impresionuar shumë nga udhëtimi në Shqipëri. Ishte i mirëorganizuar dhe Shqipëria më pëlqeu shumë. Më pëlqeu Durrësi, një qytet i bukur, Vlora, dhe sigurisht vizita në parkun e Apollonisë. Shqipëria ofron një kombinim shumë të mirë të kulturës, gastronomisë, historisë por edhe të elementëve modernë të cilat i pashë në Vlorë dhe në Tiranë. Njerëzit që kam takuar ishim shumë miqësorë, mikpritës. Ushqimi ishte shumë i mirë. Pres me padurim të kthehem në vendin tuaj”, u shpreh një tjetër përfaqësues i medieve sollvake.
“Për mua Shqipëria ishte një eksperiencë komplet e re. Kam vizituar të gjitha vendet e Europës, përveç Shqipërisë. Është një vend me klimë shumë të nxehtë në këtë periudhë, por shumë i këndshëm dhe i bukur. Jam impresionuar nga gjithçka që kam vizituar, por mbi të gjitha nga parku antik i Apollonisë ku mësova shumë për historinë e antikitetit tuaj. Është një vend shumë interesant. Mendoj se po rritet numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh një tjetër gazetar, i cili vizitonte për herë të parë Shqipërinë../atsh