Partia Bindja Demokratike ka reaguar sot pas deklaratave të presidentit Ilir Meta, i cili gjatë prezantimit të argumenteve për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është shprehur se, “në disa bashki në vend, PS ka përballë kandidatët e një force politike të regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore”.
“Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkurron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si kryetar bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurrohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore”, – ka thënë Meta.
Por Bindja Demokratike me anë të Astrit Patozit ka theksuar se presidenti duhet të frenojë veten para se të flasë për të herë tjetër.
“Meqë presidenti i Republikës i paska lejuar vetes që të harrojë se përfaqëson unitetin e popullit dhe ka shprehur konsiderata negative në adresën tonë, na e ka bërë të detyrueshëm reagimin. I kujtojmë atij se e ka detyrim që të dëgjojë dhe marrë për bazë vetëm atë që thonë institucionet shtetërore dhe jo opinionet e partive politike për njëra-tjetrën, ndaj duhet ta frenojë veten kur të flasë herë tjetër për Bindjen Demokratike. Gjithmonë, në rast se do ta ketë këtë mundësi”, – thuhet në deklaratën e Bindjes Demokratike.
Por, vijon deklarata, “edhe në këtë kontekst, është më mirë që të pranojë heshtjen, me të cilën e ka përcjellë krijimin e Bindjes Demokratike, partia që ia la trashëgim bashkëshortes së vet, se sa të marrë si aksioma thashethemet që dëgjon nga një forcë tjetër politike, që nuk e ka fshehur mërzinë dhe shqetësimin për futjen tonë në garën e 30 qershorit”.
“Kur themi se duhet të dëgjojë institucionet, i kujtojmë presidentit se kemi përmbushur çdo detyrim ligjor të Republikës së Shqipërisë që ka të bëjë me krijimin e partive politike dhe me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Dhe kjo është e certifikuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri”, – theksohet në deklaratën e Bindjes Demokratike.
Ndërsa, vijon Bindja Demokratike, “për konsideratat e tij politike dhe jo institucionale nuk shqetësohemi fare, madje i vlerësojmë ato si një kontribut pozitiv për fushatën e Bindjes Demokratike në këto zgjedhje. Sepse është fare e qartë për këdo se ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për krizën politike, ku është zhytur Shqipëria për shkak të partive të vjetra, ndërkohë që vetë presidenti i Republikës, si funksion dhe si personazh politik, është produkti më sinjifikativ i pazareve të pista midis tyre”. /atsh