Kryeministri shprehu bindjen se pas zgjedhjeve të 30 qershorit do të krijohen parti të tjera politike në vend.
Në një intervistë televizive nga Vlora, Rama tha se “unë nuk mendoj se pas 30 qershorit do të shuhet Partia Demokratike. Patjetër që Partia Demokratike do të dalë shumë e rrënuar nga kjo histori, por do të duhet të reflektojë dhe të organizohet për tu rikthyer si një alternativë e besuar”.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se “pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, nuk ka për të parë më Shqipëria skena të padenja, si në kohën kur ishte opozita në parlament. Sjelljet e opozitës mund ta kenë dëmtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por kjo mbetet për t’u parë. Por nuk ka ndodhur në botë që një palë t’i imponojë rregulla të pashkruara palës tjetër”.
“Këtu jemi në kushtet që nuk i kemi kundërshtarët në garë dhe nuk mund të fajësohet pjesa që bën garë. Shqipëria pse ka institucione që vlerësojnë vlefshmërinë e dekreteve, sot ka zgjedhje në 30 qershor”, – tha Rama. //atsh