Loading...

Partia Socialiste nuk do t’i hapë kurrë rrugë atyre që duan të marrin vendin peng

“Partia Socialiste jo vetëm që nuk do t’i hapë kurrë rrugë atyre që kërcënojnë dhe duan të marrin peng vendin, por në 30 qershor do t’u japë një përgjigje siç e meritojnë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me banorë të Gjirokastrës. “Ka ardhur koha që ata të treten rrugëve dhe që atyre të mos u jepet asnjë mundësi e vetme si në të shkuarën”, – tha Rama, ndërsa kujtoi marrëveshjen e 2017.

“Mbase është krijuar ideja te ata se, socialistët janë njerëz të butë, me mend në kokë, janë njerëz që nuk e duan konfliktin, kështu që hajde t’i marrim para se socialistët të hapin rrugë. Dhe në fakt, në të shkuarën nuk është se nuk u ka dalë me sukses, por iku ajo kohë kur socialistët i hapnin rrugë budallait”, – tha Rama.

Sipas tij, “të gjithë duhet të mësojnë se kush shkel rregullat për të imponuar rregulla të reja me dhunë, presion dhe imponim ka vetëm një fund, përfundon rrugëve si ata”.

“Ky që po ndodh nuk është një film i ri, por është një seri e re, më e shëmtuara, më e turpshmja e një filmi që ne e kemi parë në të shkuarën, në 2017. Shumë veta mund të thonë se Edi Rama i do të gjitha pushtetet, por nëse kjo do të ishte e vërtetë ne mund të kishim një parlament me 140 deputetë socialistë që para dy vitesh”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “tani ata po kërcënojnë se nuk do ta lënë popullin të marrë pjesë në zgjedhje, sikur janë ata që do e vendosin nëse do të votojnë apo jo shqiptarët”.

Lidhur me dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, Rama tha se “këtë nuk e ka bërë askush në botë”. “Shteti mbahet me firma dhe nëse një tufë humbësish të tmerruar nga çfarë vjen mbrapa i imponohet shumicës atëherë këtu nuk ka më as shtet, as ligj, as demokraci në zhvillim”, – tha Rama.

Rama tha se “ka ardhur koha që politikanët jo vetëm të zbatojnë ligjin, por të jenë shembull i zbatimit të tij”. “Kush kërkon rrugë të shkurtra që e nxjerrin popullin në rrugë të gjatë, do të marrë atë që meriton në 30 qershor”, – tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com