Loading...

Nuk kam frikë nga Reforma në Drejtësi, absolutisht i vendosur ta çoj deri në fund

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk kam frikë nga Reforma në Drejtësia. Le të thonë çfarë të duan e si të duan, nuk kam frikë. E kam thënë… pse nuk kam frikë? Sepse asnjëherë nuk kam bërë asgjë që të kem frikë”.

Në një intervistë televizive për emisionin “Përballë” në Radio Televizionin Publik Shqiptar, Kryeministri Rama theksoi se “si shpjegohet që unë që në sekondën e parë e kam vënë në program Reformën në Drejtësi, kur ekspertët thoshin mos e vërë në program, sepse do shumicë të cilësuar, do shumicë kushtetuese etj., etj. Dhe si shpjegohet që nga dita e parë deri më sot unë jam absolutisht i vendosur dhe s’kam asnjë lëkundje për këtë punë?!”
“Unë s’kam frikë! S’kam frikë. Le të thonë çfarë të duan e si të duan, nuk kam frikë. E kam thënë… pse nuk kam frikë? Sepse asnjëherë nuk kam bërë asgjë që të kem frikë. Kaq. Ndërkohë që të gjithë e dinë, të gjithë ata që punojnë me mua e dinë. Unë jam mbrojtësi më i flaktë i punës së kujtdo, unë i vë gjoksin kur vjen puna te puna apo për të mbrojtur nga akuzat e padrejta. Në momentin që ka diçka që lidhet me drejtësinë, nëse është në rregull është i mirëseardhur, nëse nuk është rregull, lamtumirë. Është shumë e thjeshtë”, – – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e kam thënë gjithmonë, një familje në kuptimin e thjeshtë të fjalës, një organizatë, një parti, një ndërmarrje, një shtet, një anëtar i familjes së vogël, një djalë, një xhaxha, një vëlla, një motër, nuk gjykohet nga kjo, nga ajo që bën një pjesë e organizatës, gjykohet nga mënyra se si reagon. A pajtohet apo nuk pajtohet me këtë? A distancohet apo nuk distancohet nga kjo? A mban apo s’mban qëndrim? Ky është ndryshimi i madh mes meje dhe atyre që sonte janë bërë bashkë për t’i dalë për ndesh drejtësisë. Pse? Sepse këtu kemi qenë kur drejtori i përgjithshëm i tatimeve ishte me arrest shtëpie nga gjykata dhe e mbanin akoma drejtor dhe kryeministri thoshte, përderisa nuk ka vendim të formës së prerë “është i pafajshëm”, dhe këtu kemi qenë kur unë i thashë një ish-ministri të brendshëm “unë dua të të besoj, por nuk mjafton fjala jote. Dil jashtë nga kjo shtëpi, shko përballu me drejtësinë, avokatët gjeji, janë të tutë, ne nuk jemi avokatët e tu dhe kaq”. Këto janë standardet, nuk ka të tjera”.

I pyetur se me ngritjen së shpejti të BKH dhe SPAK, a do të duhet të mbajë qëndrim ndaj shumë anëtarëve të familjes së tij politike, Rama theksoi se “unë mbaj qëndrime politike dhe morale ndërsa qëndrimet ligjore i mbajnë institucionet dhe të jeni i sigurt që me krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së kurrë nuk do të dëgjoni Edi Ramën që të thotë: kjo është e padrejtë, kjo s’është e padrejtë. Ata do të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre dhe gjithkush që do të ketë probleme me ta duhet t’i zgjidhë vetë, jo nëpërmjet meje”.

Lidhur me akuzat për përdorimin e administratës për fushatë zgjedhore, Rama u shpreh se “përdorimi i administratës është një histori që nuk ka lidhje fare me çfarë ndodhte më para, mund të ketë elementë të caktuar që nga ana e tyre mund të bëjnë këtë apo atë, por nuk bëhet fjalë që të ketë presion sot të organizuar mbi mësuesit, mjekët, infermierët, nuk ekziston sepse sot janë mësuesit janë ata autonomë, hyjnë e dalin në proces në mënyrë transparente përmes një mekanizmi dixhital”.

Ndërsa i pyetur sesi e shikon rezultatin e 30 qershorit, Rama tha se “në këtë rast kundërshtarët kanë ikur e kemi fituar garën pa e filluar, se na i kanë falur”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com