Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë shans që zgjedhjet të mos zhvillohen më 30 qershor, ndërsa e cilësoi vendimin e opozitës për të mos u futur në zgjedhje një vetëvrasje politike spektakolare.
Në një takim me banorët e njësisë administrative nr.2 në Tiranë, së bashku me kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, deputetet e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, Blerina Gjylameti, si dhe banorë të kësaj njësie , kryeministri Rama theksoi se “gjëja më e rëndësishme për ne është që procesi të jetë sa më korrekt”.
“Mungesa e kundërshtarëve e bën të komplikuar fushatën nga një anë tjetër, sepse një pjesë thonë s’ka kundërshtarë, s’ia vlen, do ikim në plazh, një pjesë tjetër thonë s’jam duke shkuar se vota ime është e fshehtë”-, tha Rama.
Kreu i qeverisë e vuri theksin se tek personat që do të administrojnë procesin zgjedhor të 30 qershorit.
“Pjesa e atyre që administrojnë procesin të jetë shumë korrekt, sepse në mungesë të garës mund të jenë të pavëmendshëm për dokumentacionin, procedurat. Duhet vëmendje e madhe që të jetë procesi korrekt. Pastaj s’kemi ç’ti bëjmë pluralizmi është të gjithë në një mendje që secili mund të zgjidhet nëse dëshiron të paraqitet, pastaj secili në mendjen e vet do me u zgjedh, s’do me u zgjedh. Por nëse ti nuk do të hysh në zgjedhje nuk mund të marrësh në qafë dynjanë e të thuash me që s’dua unë ju të tjerët nuk do të bëni zgjedhje”.
Kryeministri e konsideroi një vetëvrasje politike spektakolare mos pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, por shtoi ai, “nuk kemi çfarë të bëjmë ne”.
“Nuk ka shans të ndodhë kjo që thonë ata “unë nuk jam gati për ndeshje, ti s’do hysh në stadium, s’do marrësh as rezultatin. Nuk ka shans kjo të ndodhë”.
Kryeministri Rama vuri në dukje edhe rënien e kuponave.
“Në këtë fazë ne shikojmë një rënie të kuponave. Do të thuash çlidhje?. Ka lidhje se është atmosfera e paligjshmërisë dhe klima e krijuar që me kurajo bjeri murit me kokë, shkel ligjin, imponohu me forcë, etj dhe kjo përhapet. Çfarë mësimi jep? Në fund të fundit një nga misionet e politikës është që të ketë forcën e shembullit , çfarë shembulli i jep ti njerëzve çohen 5 veta në një klasë sot se nuk do ketë mësim , çohen 5 veta në trupën e shërbimit në spital nuk shërbejmë se s’duam ne, o të iki drejtori o s’ka. Ky është stimulimi i antiligjit dhe antishtetit në mënyrën më kriminale. Dhe për më tepër politikanët i bëjnë ligjet vetë dhe sillen sikur janë mbi ligjin, 30 vjet ky muhabet. Hajde të bëjmë një marrëveshje, hajde ta zgjidhim. Gjithmonë rruga e shkurtër që të nxjerr gjatë, i bien politikanët shkurt i del popullit gjatë”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri u shpreh se “nuk mund të vazhdojë kjo histori, këto zgjedhje janë të rëndësishme, jo kush zgjidhet kryetar i bashkisë, por si do të jetë Shqipëria të nesërmen, do të jetë një vend ku kush i bie këmbës dhe kërcëllet dhëmbët fiton, apo një vend kush zbaton rregullat fiton”./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/450463192415332/?t=0