Ata kanë vjedhur për çdo punë që kanë bërë, ndërsa ne kemi vijuar para me reformat dhe kemi transformuar çdo bashki ku kemi drejtuar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, Kryeministri Rama u ndal te transformimi që ka kryer Rilindja Urbane në çdo bashki.
“Opozita që sot është në rrugë vetëm akuzon për vjedhje sepse të punosh për ata do të thotë të vjedhësh. Ata nuk e kanë nisur kurrë një punë pa menduar se çfarë ka për të vjedhur dhe kanë vjedhur në çdo punë që kanë bërë. Nuk kemi ça t’u bëjmë, janë të mbrapshtë”, tha Rama.
Kryeministri tha se bashkitë e qeverisura nga PS-ja në këto 4 vite janë si nata me ditën me bashkitë e qeverisura nga PD.
“Kujtoni Tiranën, Korçën, Dibrën në kohën e tyre dhe shikojini këto bashki në qeverisjen tonë. Kujtoni Fierin, Elbasanin, Pukën, Roskovecin, Divjakën kur ishin në dorën e tyre dhe shikoni sot. Kujtoni çfarë bënë ata me Shkodrën për 30 vjet me radhë dhe shikoni se çfarë bëmë ne me Vlorën për vetëm 4 vjet”, tha Rama.
Kryeministri u ndal në investimet kryesore që kanë transformuar jetën e banorëve, siç është impianti i përpunimit të mbetjeve në Sharrë.
“Shikojeni sot Sharrën e plehrave që në kohën e tyre digjeshin në buzë të lumit dhe prodhonin re të zeza në gjithë Kombinatin. Na shajnë dhe akuzojnë se si e kemi kthyer atë kancer në një park ekologjik të kohës të fundit, duke zeruar ndotjen në Tiranë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kudo ku kemi investuar për të zeruar ndotjen e tmerrshme nga djegia e plehrave rrugëve, ata kanë dalë dhe kanë thënë se është vjedhje”.
“Edhe për zhdukjen e kancerit të Porto Romanos që do ta transformojmë në një park të madh për të gjitha moshat, jam i sigurt se do të thonë të njëjtën gjë”, tha Rama.
Duke u ndalur te investimet në Vlorë, Rama tha se edhe për Lungomaren dhe Bulevardin e Ri ku po përfundon puna transformuese që do t’i japë kuptim qytetit turistik, ata kanë të njëjtat akuza për vjedhje”.
“Në Lezhë jemi aktualisht duke ‘vjedhur’ në rrugën Milot-Balldren që ata e kthyen në autostradën e vdekjes, ndërsa ne do ta transformojmë në një autostradë europiane me standard A. Bashkë me Pjerin Ndreun ne do të vazhdojmë me rrugën e re turistike Shëngjin-Velipojë”, tha Rama.
Në Shkodër, Kryeministri tha se “kemi bërë një punë të madhe duke anashkaluar kryebashkiaken më të paaftë, ndërsa bashkë me Valdrin Pjetrin do t’i japim Shkodrës uanzën turistike të liqenit, që do të jetë njësoj e bukur si Lungomare e Vlorës”. /atsh